Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar ndaj mediumit zviceran lidhur me intevistën që kishte bërë, ku flitej edhe për krimet e luftës e UÇK-në.
Në një shkrim në Twitter, Gërvalla ka thënë se mediumi ‘NZZ’ ka publikuar pohim të rremë për UÇK-në, dhe se nëse ka pasur krime ato janë bërë nga individë të caktuar.
“NZZ publikoi pohimin e rremë se UÇK-ja bëri vrasje pas përfundimit të luftës. UÇK-ja u shpërbë pas çlirimit të Kosovës në qershor 1999. Nëse krimet thuhet se janë kryer, ato janë bërë nga individë, jo nga UÇK-ja”, ka shkruar Gërvalla.
Tutje ministrja Gërvalla tha se UÇK-ja dhe FARK-u kanë shpëtuar civilë të pafajshëm.
“Gjatë gjenocidit në Kosovë, burra dhe gra të panumërta në UÇK-së, FARK-ut dhe të tjerët sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar civilë të pafajshëm nga asgjësimi serb. Liria e medias gjithmonë duhet të mbrohet. Por kështu është e vërteta”, ka shkruar ajo.