Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu në një intervistë tha se rimëkëmbja ekonomike e Kosovës në vitin 2022, është fontanë dëshirash.
Krejt kjo nuk mund të ndodhë pasi që sipas tij, ka pasur shumë keqpërdorime me Pakot Emergjente.
Paralajmërimin e Bankës Botërore që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të kenë sërish rritje ekonomike gjatë vitit 2021me 4.4 për qind, ai po e sheh me skepticizëm.
Madje sipas Bankës Botërore ritmi i rritjes ekonomike pritet të stabilizohet në 3.7 për qind përgjatë vitit 2022 dhe 2023.
Por sipas Gërxhaliut në Ballkanin Perëndimor shumë vende kanë pësuar deri në 15% rënie të trendeve ekonomike dhe se kjo kërkon kohë, angazhim, mbështetje, partneritet dhe përkushtim.
“Për institucionet e ndryshme dhe organizatat ndërkombëtare është lehtë të hartojnë plane dhe për të dhënë prognoza të tilla për rimëkëmbjen mirëpo realiteti në Ballkanin Perëndimorë është krejt ndryshe në veçanti sa i përket Kosovës se vetë fakti se institucionet e ndryshe ndërkombëtare paralajmërojnë se pandemia do të shuhet në vitin 2022, dhe lindi pyetja si do të ketë rimëkëmbje të ekonomisë, në Ballkanin Perëndimor kur shumë vende kanë pësuar deri në 15% rënie të trendeve ekonomike dhe e tëra kjo kërkon kohë angazhim, mbështetje, partneritet dhe përkushtim”.
Madje sipas tij, nëse vendeve të rajonit u duhen dy vjet që ekonomia të marrë vetën Kosovës do të ketë nevojë për dyfishin e kohës.
“…kur është në pyetja Kosova vërtet se vendet e rajonit e kanë pasur një fat që qeveritë e rajonit kanë bërë më tepër për të mbështetur bizneset dhe qytetarët ndërsa në Kosovë ne kemi parë vetëm dy pako, pakoja emergjente e marsit 2020 dhe pakoja emergjente e tetorit në vitin 2020, mirëpo nga vetë fakti që kemi pasur keqpërdorim ose qasje selektive në vend që ato t’i ndërmarrin bizneset e vogla, qytetarët dhe ekonomitë e varfra ato kanë shkuar në kontot e kompanive të cilat më së shumti kanë përfituar nga pandemia, e kanë dyfishuar qarkullimin në kohën e pandemisë, dhe të mendohet se Kosova do të ketë rimëkëmbje ekonomike në vitin 2022 është një fontanë dëshirash e vështirë për tu realizuar dhe nëse vendet të rajonit ju duhet dy vite Kosovës do t’i duhet dyfishi”, tha ai.