Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar ka njoftuar të mërkurën se në Suhodoll të Mitrovicës janë zhvarrosur mbetjet mortore të një viktimë “që potencialisht mund të jetë në Listën e Personave të Zhdukur”.
Në njoftim theksohet se “Gërmimet e realizuara sot, me datë 27.11.2024, në lokacionin Suhodoll – Mitrovicë, kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore (eshtrave) të një viktime, që potencialisht mund të jetë në Listën e Personave të Zhdukur.”
Ata kanë thënë se mbetjet mortore do të dërgohen për ekzaminime mjekoligjore.
“Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen për ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së.”
“Gërmimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do t’iu mbajë të informuar për rezultatet e gjetjeve. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar angazhimin dhe punën, duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit 24 vjeçar të pritjes së familjarëve për të ditur vendndodhjen e më të dashurve të tyre”. / Gazeta Enigma.