Gjermania ka identifikuar tri shkelje që Serbia ia bëri Marrëveshjes Bazë

Gjermania ka identifikuar tri shkelje që Serbia ia bëri Marrëveshjes Bazë

Ambasada gjermane në Prishtinë, së fundmi ka identifikuar tri shkelje që Serbia i ka bërë Marrëveshjes Bazë, të dakorduar me Kosovën në dialogun e Brukselit.

Kjo ambasadë në një përgjigjje për Koha.net, ka thënë se Serbia Serbia ka shkelur detyrimet duke e shpallur Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë, duke e miratuar legjislacionin për vepra penale, si dhe duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

E Kosovës në këtë ambasadë i përmendet detyrimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Gjermania dhe BE-ja vazhdimisht e theksojnë edhe detyrimin e Kosovës për të vazhduar shpejt me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi në vitin 2022, kancelari Scholz e bëri të qartë: Vendet që nuk e njohin njëri-tjetrin nuk do të mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Prandaj, përparimi thelbësor në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbetet kyç për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Fatkeqësisht, asnjëra nga palët aktualisht nuk po i merr seriozisht obligimet kryesore përkatëse të Dialogut. Kjo do të vonojë më tej afrimin e të dy vendeve me BE-në. Kështu, Gjermania u kërkon të dyja vendeve që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht detyrimet e tyre përkatëse të dialogut, pa vonesa të mëtejshme”, ka thënë Sebastian Leuschner nga Aambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Ndryshe nga rasti i Gjermanisë, në Ambasadën amerikane në Prishtinë nuk kanë folur mbi shkeljet e marrëveshjes nga palët në dialog.

Derisa ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, shprehu mospajtim se Serbia ka bërë shkelje të ujdisë, në Ambasadën në Prishtinë kanë kërkuar që palët të ndërmarrin hapa drejt jetësimit të tyre, njofton Koha.net, transmeton Gazeta Enigma.

“Politika e SHBA-së mbetet e pandryshuar. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Presim që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin detyrimet e tyre, sipas Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, si dhe kërkojmë që ato të ndërmarrin hapa konkretë që tregojnë mirëbesim për ta bërë këtë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Ndërkaq, korrespodenti në Bruksel, Augustin Palokaj, ka theksuar se në procesin e dialogut nuk janë krijuar mekanizma për vlerësimin, në mënyrë objektive, të zbatimit të marrëveshjeve.

Ai ka thënë se me këtë detyrë janë marrë lehtësuesit e dialogut, shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së, si dhe Komisioni Evropian. “Në këtë moment, sa herë përmendet mungesa e respektimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, gjithmonë zyrtarët e BE-së, por edhe ata amerikanë, tërheqin vërejtjen se është Kosova ajo që nuk ka bërë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kështu që, mungesa e hapave nga Kosova tash e një kohë të gjatë po merret si argument për të arsyetuar edhe moszbatimin e obligimeve nga ana e Serbisë”, ka thënë Palokaj. /Gazeta Enigma

Related Articles