Një baner që reklamonte një kazino në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, është vendosur mbi një kulm të një prone në Gjilan, konkretisht mbi kafenenë “Te Qoshi”, njofton Gazeta Enigma.
Baneri tregonte se një kazino ndodhet në Kumanovë, 49 kilometra larg Gjilanit, me emrin “Casino All in”, si dhe me disa informata shtesë si numri i kontaktit dhe adresa.
Lidhur me këtë, Gazeta Enigma ka kontaktuar me Policinë e Kosovës në rajonin e Gjilanit, pasi që lojërat e fatit dhe reklamat për to janë rreptësishtë të ndaluara me ligj.
Pasi policia u njoftua për këtë nga Gazeta Enigma, zyrtarët policorë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë urdhëruar pronarin e pronës që ta heq reklamën.
“Në lidhje me pyetjen e juaj për banerin, ju njoftoj se Policia e Gjilanit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, është takuar pronari, i cili ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se ka rënë ndesh me ligjin dhe e njëjta është tërhequr nga vetë pronari”, ka thënë për Gazetën Enigma Zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Valon Osmani.
Gazeta Enigma ka shkuar sërish sot në vendngjarje dhe është vërtetuar largimi i banerit.
Veprimtaria e kazinove, bashkë me të gjithë lojërat e tjera të fatit (përjashtim Lotaria e Kosovës, e cila është në menaxhim të shtetit) është ndaluar rreptësishtë që nga viti 2019, atë kohë kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.
Ndalimi kishte ardhur pasi për një kohë të shkurtër ndodhën disa vrasje në hapësirat e kazinove.
Pezullimi i veprimtarisë së tyre është bërë për një periudhë 10-vjeçare. Mbi 200 lokale të fatit u mbyllën në atë kohë.
Lejimi i veprimtarisë të lojërave të fatit nuk është diskutuar ndonjëherë nga qeveria e tanishme, Kurti 2, dhe një gjë e tillë nuk shihet në horizont.
Tentime për rihapje të tyre në mënyrë ilegale janë bërë shpesh, por të tillat janë mbyllur nga Policia e Kosovës. /Gazeta Enigma