Qyteti i Gjilanit është përballur me mungesë të energjisë elektrike qysh në orët e para të mëngjesit, shkruan Gazeta Enigma.
Siç merr vesh Gazeta Enigma, trafo kryesore që e furnizon qytetin me energji ka pësuar prishje, andaj edhe pjesa më e madhe e qytetit është pa energji.
Punimet në trafo thuhet se mund të zgjasin deri në orën 14:00.
E sikur të mos mjaftonte kjo, një pjesë e banorëve të Gjilanit, po përballet edhe me mungesë të ujit.
KRU “Hidromorava” SH.A – Gjilan, ka konfirmuar se po punohet në disa zona, dhe mungesë të ujit sipas tyre do të ketë deri në orën 17:00.
“Ndërprerje e furnizimit me ujë deri në ora 17:00. Të nderuar konsumatorë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga KEDS-i deri në orën 17:00, Fabrikat për Përpunimin të ujit në Përlepnicë dhe Velekincë, si dhe SP Baja, kanë ndërprerë procesin e përpunimit dhe furnizimin me ujë për konsumatorët. Për çdo ndryshim tjetër, do t’ju mbajmë të informuar”, thuhet në njoftimin e tyre. / GAZETA ENIGMA.