Te klubi i futbollit, Gjilani, ende nuk janë pajtuar me dorëheqjen e presidentit Florim Zuka.
Muajin e shkuar Zuka dha dorëheqje së bashku me kryesinë e klubit. Prej atëherë në klub nuk ka ndryshuar asgjë. Gjilani vazhdon të mos ketë president dhe kryesi. Të paktën zyrtarisht nuk është njoftuar për ndonjë lëvizje. Por lojtarët dhe trajnerët janë të interesuar ta kthejnë Zukën, që vlerësohet për korrektësinë ndaj anëtarëve të klubit.
“Skenari” i skuadrës është që me rezultate pozitive ta bindë Zukën që të kthehet.
Një gjë të tillë e ka thënë edhe trajneri i skuadrës gjilanase, Zekirija Ramadani.
Ai ka treguar për Kohën se ka vonesa në paga, por që atmosfera dhe synimet janë të qarta.
Gjilani është lider i Superligës pas katër xhirove të luajtura. Ka tri fitore dhe një barazim.
“Puna ime është që ta përgatisë ekipin për ndeshjen e radhës. Dhe deri me tani atmosfera është shumë e mirë në klub. Ka pak vonesa me pagesa, por nuk jemi të papaguar. Ekipi po mundohet që me lojë dhe rezultate t’ia ndryshojë mendjen, për ne akoma presidentit Zuka. Ne nuk merremi me fjalë që t’ia ndryshojmë mendjen, sepse e kam parë vet që është lodhur prej fjalëve të kota. Ne të gjithë bashkë po punojmë dhe me punë, angazhim dhe rezultate dhe me ndihmën e Zotit, ta rikthejmë presidentin Zuka edhe më të motivuar te Gjilani. Këto rezultate pozitive nuk po i shijojmë pa presidentin”, u shpreh Ramadani të dielën.
Trajneri i Gjilanit nuk është i befasuar me rezultatet pozitive. Ai thekson se po të mos dëmtoheshin nga gjyqtarët, do të kishin pikë maksimale.
“Besoni që duke e parë ekipin si punonte në stërvitje dhe në ndeshjet kontrolluese pas eliminimit nga Liga e Konferencës dhe duke parë pak edhe shortin e volitshëm në xhirot e para, e kemi pritur një fillim të mirë të kampionatit. Do të thotë vetëm me Drenicën lamë dy pikë dhe jam i bindur që këto dy pikë na i mori arbitri duke mos akorduar dy penallti të pastra për ne”, deklaroi Ramadani.
Sipas Ramadanit, përparësi e tij është se i njeh shumicën e lojtarëve. Me disa prej tyre është shpallur kampion me Feronikelin.
“Shumë është e rëndësishme që çdo trajner ta njeh ekipin që drejton, por kur edhe futbollistët e njohin mirë trajnerin, atëherë është shumë më e përshtatshme për punë. Mendoj që më kanë ndihmuar shumë futbollistët që i kam pasur te Feronikeli”, theksoi ai.
Ramadani kërkon që të jenë të barabartë më të gjitha skuadrat e tjera sa i përket orarit të ndeshjeve.
“Nëse orari i ngjeshur është për çdo skuadër, atëherë ne nuk kemi asnjë ankesë sepse kemi mjaftueshëm futbollistë. Por këtë javë ne luajtëm tri ndeshje për gjashtë ditë dhe kjo ishte e tepërt kur kundërshtari pushon në mesjavë”, tha Ramadani.
Trajneri që ka tre tituj kampioni me tri skuadra të ndryshme në Kosovë, shton se ka ardhur për ta ndryshuar Gjilanin dhe një gjë të tillë insiston se po e bën.
“Te Gjilani kam ardhur për të ndryshuar diçka dhe jam i bindur që tani vetëm se ka ndryshuar. Objektivat janë të qarta kur bëhet fjalë për Gjilanin, lufta do të jetë për kreun”, përfundoi Ramadani.
Zekirija Ramadani ka fituar tituj të kampionit në Kosovë me tri skuadra të ndryshme, Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën.
Gjilani nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit. Gjilani është ekipi i katërt që Ramadani drejton në futbollin e Kosovës.