Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se qëndrimi i partisë së tij s’ka ndërruar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, duke shtuar se nuk kanë obligim ndaj një marrëveshje që dakordohet nga dy partitë tjerë.
“Qëndrimi i Aleancës është i qartë qe prej datës 7 qershor, ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj çfarëdo marrëveshje që bëjnë dy partitë politike tjera. Nuk shohim kurrfarë vullneti të kësaj qeverie me u marrë me çfarëdo teme që ka të bëjë me qytetarin, me të ardhmen e vendit, me planifikimet afatgjate”.
Gjini, që këtë prononcim e bëri pas protestës së sotme të komunave kundër Qeverisë, tha se “epoka e mashtrimit më të madh e ka prekur çdo pore të jetës në Kosovë”.
“Kosova është para kolapsit ekonomik, social, nuk respektohet në arenën ndërkombëtare, kemi bllokadë, jemi përjashtuar nga dialogu strategjik me Amerikën, kemi qenë nën sanksione të BE’së”.
I pyetur se çfarë përgjigje do t’i jepte një ftesë potenciale për çështjen e Presidentit, Gjini i quajti këto “lojëra të fëmijëve”, duke thënë se qëllimi përfundimtar i tyre është lënia e fajit dy partive tjera.
“S’kam kohë për kësi lojëra të fëmijëve, që janë me qëllim për mashtrimin e opinionit publik dhe dërgimin e Kosovës në zgjedhje duke synuar me ia lënë fajin një apo dy partive”.
