Komisioni i Pavarur i Mediave në mbledhjen e datës 15.04.2024, me 5 vota pro të anëtarëve të komisionit ka vendosur që Klan Kosovës t’i shqiptohet gjobë në shumë prej 10 mijë eurosh.
Rekomandimi ka ardhur nga Zyra Ekzekutive e KPM-së e cila ka monitoruar televizionin në fjalë dhe ka konstatuar se ky televizion ka kryer shkelje kur ka transmetuar “Prime e Big Brother’ pa kodim, siç përcaktohet me Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve të KPM-së.
Përcaktimi ligjor që këto transmetime të jenë me kodim, bëhen sipas nenit 7 paragrafi 6 i Rregullores, bëri të ditur kryetari Jeton Mehmeti.
Mehmeti njoftoi se deri te kjo gjobë është marrë parasysh edhe gjoba e mëhershme e shqiptuar ndaj këtij televizioni në shumë prej 5 mijë eurosh.
Komisioni i Pavarur për Media në mbledhjen e sotme të datës 15.04.2024 ka shqiptuar gjobë ndaj Radio Klan Kosovës në Prishtinë dhe asaj në Deçan për shkak se Zyra Ekzekutive ka konstatuar se kanë bërë ndryshim të pronësisë pa miratim të KPM-së.
Për këtë, Zyra Ekzekutive e KPM-së ka rekomanduar që të shqiptojë gjobë në shumë prej 1 mijë eurosh për secilën radio si sanksionim dhe u miratua nga Komisioni.
“Një televizion dhe dy radio është situata e njëjtë, Radio Klan Kosova Prishtinë dhe Deçan. Në të dy rastet kemi konstatimet sikur tek televizioni se ka ndodhur ndryshim i pronësisë pa miratim. Është një standard që po e aplikojmë në disa mbledhje, aty ku vërejmë se të licencuarit bëjnë ndryshim, të sanksionohen për të sensibilizuar të licencuarit” – tha kryetari Mehmeti në mbledhjen e sotme.
Për këtë ndryshim të pronësisë, anëtarja e KPM-së Luljeta Aliu kërkoi të ushtrohet kallëzim penal, si dhe të merret një jurist i pavarur që të kryejë konsultime si të veprohet lidhur me këtë çështje.
“Qëndrimi im është që duhet të ndërmarrim edhe hapa të tjerë. Klan Kosova është bërë me mashtrim ndaj komisionit, gjithsesi ne mund ta pranojmë me një gjobë, kallëzimi penal duhet të shkojë, besoj shumë që ju si anëtarë do të konsultoheni me njerëz të fushës, të cilët do të ju sqarojnë se është një veprim i domosdoshëm , si në rastin e Klan Kosovës ashtu edhe Art Motion. Ndryshimet në pronësi të cilat i kemi marrë nga ARBK kanë qenë fakte të reja për komisionin. Të gjitha argumentet tjera që mundohen ta arsyetojnë këtë çështje, janë të dyshimta. Nuk ka jurist që nuk e di që ky është mashtrim. Besoj në ndërgjegjen e juaj.” – tha Aliu.
Kjo mbledhje është vazhdim i mbledhjes së tretë të KPM-së të datës 19.03.2024 dhe pastaj do të zhvillojë mbledhjen e katërt me radhë.