Gjuajti me armë se i lindi djalë, gjakovari dënohet me 1 vit burgim

Gjuajti me armë se i lindi djalë, gjakovari dënohet me 1 vit burgim

Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën, e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht P.A, i cili e ka pranuar se në tetor të këtij viti ka gjuajtur me armë në shenjë gëzimi se i kishte lindur djalë.



Kurse, Q.H është dënuar me 400 euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht, pasi ka pranuar se ka mbajtur armë pa leje dhe ka shtënë me të për ta frikësuar një qen endacak.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, dënimet me burgim ndaj të akuzuarve nuk do të ekzekutohen nëse ata nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës verifikuese prej dy vitesh.

I akuzuari Q.H është obliguar që gjobën ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Gjithashtu, gjykata ka konfiskuar armën, një karikator dhe 16 fishekë, si objekte të veprës penale.

Paraprakisht, në seancën fillestare të mbajtur paraditën e së martës, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni, i akuzuari P.A e ka pranuar fajësinë për përdorim të armës.

Fajtor është deklaruar edhe Q.H, për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Ndyshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, thuhet se më 1 tetor 2021, në Jabllanicë të Gjakovës, P.A ka përdorur armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm në Republikën e Kosovës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që i njëjti pasi ishte takuar me të akuzuarin Q.H, i cili i kishte treguar se kishte një armë me gas, i akuzuari në shenjë gëzimi që i kishte lindur djalë, e merr armën e llojit “Zoraki917-T”, dhe shtie një herë në ajër, transmeton “BetimipërDrejtësi, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burigm prej një deri në tetë vjet.

Tutje sipas aktakuzës, Q.H akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 1 tetor 2021, ka mbajtur në posedim në kundërshtim me ligjin armën e lartcekur.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer vepër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë deri në 700 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

I akuzuari Hoti po akuzohet edhe se më 29 shtator 2021, në Jabllanicë të Gjakovës, ka përdorur armën në kundërshtim me ligjin, ashtu që i njëjti gjersa ishte duke shkuar në punë, një qen endacak i vërsulet në drejtim të tij, e në këto momente duke qenë i frikësuar i akuzuari shtie një herë për ta frikësuar dhe larguar qenin me armën e lartcekur.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënoht me burgim prej një deri në tetë vjet. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles