Policia ka dhënë detaje nga rasti në Grabovc të Obiliqit, duke bërë të ditur se një 26-vjeçare ka pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjes me një gur.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se vajza ka pësuar lëndime në pjesën e kokës dhe se guri është hedhur në rrethana ende të panjohura nga pjesa e jashtme e trenit, në momentin kur ai ishte në lëvizje.
“Rreth orës 17:15, është pranuar informata se, në afërsi të fshatit Grabovc, një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjes me një gur. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku sipas të dhënave fillestare, viktima, femër, 26 vjeç, ka pësuar lëndime në pjesën e kokës, dyshohet si pasojë e një guri të hedhur në rrethana ende të panjohura nga pjesa e jashtme e trenit, në momentin kur ai ishte në lëvizje”.
“Në vendin e ngjarjes, mjeket emergjent, i kanë ofruar viktimës ndihmën mjekësore dhe më pas të njëjtën e kanë transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKMF, në Drenas. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të implikuarve dhe fton qytetarët që posedojnë informacione të dobishme për këtë rast, të lajmërojnë Policinë përmes linjës emergjente 192, apo aplikacionit Lajmëro Policinë”, thuhet tutje në konfirmim.