Gjykata e Apelit të hënën e ka kthyer në rivendosje vendimin për paraburgimin ndaj pesë policëve të dyshuar për ‘vrasje nga pakujdesia’ në rastin e Agon Zejnullahut, raporton Gazeta Enigma.
Gjykata njofton se bazuar në prova, nuk ekziston dyshimi se të pandehurit e kanë kryer veprën penale.
“Anulohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Dega në Lipjan, kthehet në rivendosje çështja kundër 5 zyrtarëve policor për vrasje nga pakujdesia”, thuhet në njoftim.
“Prishtinë, 21 korrik 2025 – Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve së të pandehurve I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B., si dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan – Departamenti i Përgjithshëm, PPr.nr.41/2025, të datës 09.07.2025, duke e kthyer çështjen në rigjykim”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan – Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendimin PPr.nr.41/2025, të datës 09.07.2025, të pandehurve të lartcekur u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale vrasje nga pakujdesia, nga neni 175 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm, i ka aprovuar ankesat e mbrojtësve së të pandehurve I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B., si dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktvendimin e lartcekur, duke e kthyer çështjen në rigjykim. Kolegji gjykues ka konstatuar se aktvendimi i ankimuar përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale të cilat kushtëzojnë anulimin e tij”, theksohet tutje aty.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i ankimuar nuk përmban analizën dhe vlerësimin e provave relevante, të besueshme dhe me fuqi provuese për të konstatuar dhe për të vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën pretendohet. Andaj, në aktvendimin e Gjykatës së Apelit i është propozuar gjykatës së shkallës së parë t’i evitojë të gjitha shkeljet e konstatuara në aktvendimin e ankimuar, duke e kthyer çështjen në rivendosje.