Në takimin përgatitor të Qarkut të Presidentëve të Kongresit të 20-të të Konferencës Evropiane të Gjykatave Kushtetuese (KEGJK), organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në Tiranë, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është pranuar anëtare me të drejta të plota e këtij forumi prestigjioz të gjykatave kushtetuese dhe supreme evropiane.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pranimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në KEGJK u parapri nga prezantimi i kërkesës për anëtarësim nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi.
“Synimi ynë nuk ka qenë kurrë të ndjekim një avantazh politik duke iu bashkuar KEGJK-së, por përkundrazi, të zëmë vendin e merituar në mesin e anëtarëve të një komuniteti që mbështet vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në kontinentin evropian. Gjykata jonë është dëshmuar se është një gardiane e pasionuar e këtyre vlerave”, tha ai.
Konferenca Evropiane e Gjykatave Kushtetuese (KEGJK) është themeluar në vitin 1972, me një anëtarësi prej 40 gjykatash kushtetuese dhe supreme të vendeve evropiane.