Gjykata Kushtetuese s’gjen shkelje në Ligjin për pagën minimale

Gjykata Kushtetuese s’gjen shkelje në Ligjin për pagën minimale

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Qeverisë për Ligjin për pagën minimale, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për vlerësim.

Sipas publikimit të mërkurën, Kushtetuesja ka vendosur që ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të verbrit, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.

“… njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Ligji i ri i Pagës minimale nuk i përfshin veteranët. Deri tash pensioni i tyre lidhej me pagën minimale që ishte 170 euro. Tash, ajo është rritur në 264 euro, por vetëm për punëtorët.

Vitin e shkuar veteranët patën protestuar kundër këtij ligji. Ata i pezulluan protestat deri në vendim të Kushtetueses. 

Për shumë vjet, paga minimale është caktuar në kufijtë e 130, përkatësisht 170 eurove. Në këtë nivel janë paguar edhe veteranët e luftës të UÇK-së. Por, për shkak të dyshimeve se numri i tyre është rritur për qëllime elektorale – nga diku 13 mijë në afro 60 mijë, ka pas një përpjekje hetimi për të zbardhur se kush janë “veteranët e rrejshëm” dhe me urdhër të kujt janë fryrë listat. Numri më i madh është rritur në Dukagjin – nga afro 1.500 sa kanë qenë në shumicën e regjistrave zyrtarë, në afro 12 mijë që aktualisht janë përfitues të pensionit. Kryeministri Albin Kurti gjatë debateve për veteranët dhe ligjin për pagën minimale pati shprehur nevojën për pastrimin e listave. 

Ligji parasheh po ashtu që pensioni i veteranit të përcaktohet me vendim të Ministrisë së Financave. 

Deputetët e partisë në pushtet, Vetëvendosje, patën vlerësuar se veteranët duhet të veçohen nga punëtorët dhe si të tillë duhet të trajtohen me ligj të veçantë.

Related Articles