Gjykata Speciale e konfirmon për Gazetën Enigma ardhjen e Gucatit në Kosovë

Gjykata Speciale e konfirmon për Gazetën Enigma ardhjen e Gucatit në Kosovë

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati po qëndron në Kosovë për vizitë, shkruan Gazeta Enigma.

Zëdhënëssja për media e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep e ka konfirmuar për Gazetën Enigma, vizitën e Gucatit në Kosovë.

Arsyeja e vizitës së tij është sëmundja e babait të tij, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Mitrovicës.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për zotërinë Gucati për të takuar familjen e ngushtë”, tha Griep në një përgjigje për Gazetën Enigma.

Griep ka bërë të ditur se ai po ruhet nga zyrtarët e EULEX-it dhe Policia e Kosovës.

“I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës janë në paraburgim që nga viti i kaluar.

Më 25 shtator, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës, ku u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë periudhës së aktakuzës, Hysni Gucati ishte kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Nasim Haradinaj nënkryetar i kësaj organizate.

Aktakuza kundër këtyre dy të akuzuarve u konfirmua më 11 dhjetor 2020, ndërsa publike u bë më 14 dhjetor të po këtij viti.

Sipas aktakuzës “në mes të datave 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tre konferenca për medie dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së deklaratave në rrjetet sociale, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve potencial të kësaj Gjykate”, thuhet në raportin e Dhomave të Specializuara dhe zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Gucati dhe Haradinaj gjithashtu “kanë bërë akuza dhe komente nënçmuese kundër këtyre dëshmitarëve dhe në mënyrë të përsëritur shprehin synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara”.

Paraqitja e parë e Haradinaj-t si i dyshuar u mbajt më 29 shtator dhe paraqitja e parë e Gucati-t si i dyshuar u mbajt më 1 tetor.

Related Articles