Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Në dy vendime të ndara, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith më 14 qershor 2024 ka obliguar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që dorëzimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit për dy të akuzuarit, t’i paraqes jo më vonë se 25 korriku 2024, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Për arsyet e përmendura më lart, Paneli urdhëron këtu: (a) Vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi; dhe (b) Urdhëron Prokurorin Special të paraqesë dorëzimet për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Thaçi jo më vonë se të enjten, më 25 korrik 2024, në orën 16:00, me përgjigjen dhe kundërpërgjigjen që do të ndjekin afatin e përcaktuar në Rregullën 76…. Për arsyet e përmendura më lart, Paneli këtu: a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Veseli; dhe b) URDHËRON ZPS-në të paraqesë dorëzimet për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Veseli jo më vonë se të enjten, më 25 korrik 2024, në orën 16:00, me përgjigjen dhe kundërpërgjigjen që do të ndjekin afatin e përcaktuar në Rregullën 76”, thuhet në dispozitivin e dy vendimeve për Thaçin e Veselin.
Ashtu si për Thaçin, edhe për Veselin, ZPS-ja ka argumentuar se paraburgimi ndaj tyre mbetet proporcional dhe i arsyeshëm duke iu referuar edhe gjetjeve të mëparshme të trupit gjykues.
Por, Paneli ka specifikuar se arsyeshmëria e vazhdimit të paraburgimit të një të akuzuari duhet të vlerësohet mbi faktet e çdo rasti dhe sipas veçorive të tij të veçanta.
“Veçoritë e veçanta në këtë rast përfshijnë: (i) Ndikimi dhe autoriteti i z. Thaçi; (ii) Njohuria e tij për akuzat dhe provat kundër tij, dhe një dënim i mundshëm i gjatë me burg; (iii) Rreziku që z. Thaçi të pengojë procedurat e Gjykatës Speciale; (iv) Rreziku i kryerjes, nxitjes ose ndihmës për krime të mëtejshme; (v) Fakti që masat kufizuese në lirim nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet; (vi) Rëndësia dhe kompleksiteti i akuzave kundër z. Thaçi; dhe (vii) Fakti që gjyqi është në zhvillim, duke demonstruar përparimin e arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Thaçin.
Ngjashëm specifikohet edhe për Veselin në vendimin për vazhdimin e paraburgimit të tij.
“Paneli kujton se arsyeshmëria e vazhdimit të paraburgimit të një të akuzuari duhet të vlerësohet mbi faktet e çdo rasti dhe sipas veçorive të tij të veçanta. Në vlerësimin e Panelit, veçoritë e veçanta në këtë rast përfshijnë: (i) z. Veseli është akuzuar për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare, në të cilat ai pretendohet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm; (ii) nëse dënohet, z. Veseli mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet sipas nenit 41 (6) (b) (ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten nga asnjë kusht; (iv) çështja kundër z. Veseli është komplekse; dhe (v) fakti që gjyqi është në zhvillim, duke demonstruar përparimin e arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Veselin.
Si rrjedhojë e këtyre konstatimeve, trupi gjykues ka gjetur se asnjëra prej masave alternative nuk mund zbus rreziqet që dalin nga ky proces, andaj për dy të akuzuarit ka ardhë në përfundim se vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj tyre është i nevojshëm dhe i arsyeshëm.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi