Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj tjerë ndaj Hashim Thaçit në rastin ku bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohen për krime lufte.
Vendimi është marrë më 11 qershor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Prokuroria kishte pretenduar se Thaçi vazhdon të paraqesë rrezik për arratisje pasi ai është në dijeni për akuzat serioze të konfirmuara ndaj tij. Po ashtu, ata e mbështesin këtë argument me faktin çështja e Prokurorisë ka përfunduar dhe tashmë Thaçi ka njohuri të plotë edhe për provat që janë kundër tij.
Prokuroria kishte pretenduar gjithashtu se së shpejti Thaçi do të ketë informacione të ndjeshme në lidhje me dëshmitarët dhe provat që do t’i paraqesë mbrojtja e viktimave. Veç kësaj, fakti që Thaçi ka aktakuzë për pengim të procedurave, sipas Prokurorisë, e rritë motivin e tij që ai të arratiset.
Sipas Betimi për Drejtësi, mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq ka thënë se as gjykatësi i procedurës paraprake dhe as trupi gjykues nuk kanë konstatuar ndonjëherë se ka rrezik që Thaçi të arratiset nga drejtësia.
Ndërsa, lidhur me këtë aspekt, trupi gjykues ka thënë se Prokuroria vazhdimisht po përsëritë argumente që janë shqyrtuar dhe refuzuar më parë.
Kurse sa i përket argumentit të ri të Prokurorisë, që Thaçi do të ketë informacion të ndjeshëm për dëshmitarët e mbrojtjes së viktimave, trupi gjykues theksoi se nuk është argument bindës për të mbështetur pretendimet që Thaçi ka rrezik të arratiset.
Sipas trupit gjykues, ky argument mund të ishte më i përshtatshëm të shqyrtohet tek pjesa e pengimit të procedurave. / Gazeta Enigma.