Supremja ia lë në dorë gjyqtarit të vendos për gjykimin në mungesë të grupit terrorist të Banjskës

Supremja ia lë në dorë gjyqtarit të vendos për gjykimin në mungesë të grupit terrorist të Banjskës

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një vendim lidhur me kërkesën për opinion ligjor të gjykatës së shkallës së parë mbi gjykimin në mungesë të grupit terrorist të Banjskës, shkruan Enigma.

Supremja i ka lënë në diskrecion gjyqtarit të vendosë nëse do të procedojë me gjykimin e 42 të akuzuarve, përfshirë Milan Radojiciqin, që ndodhen në arrati.

Në arsyetimin e kësaj gjykate thuhet se supremja nuk jep mendime juridike për dilemat që i ka gjykata e shkallës së parë në interpretimin e ndonjë dispozite gjatë procedimit të çështjeve të hapura penale.

Avokati Fejzullah Hasani thotë se gjykimi në mungesë për grupin terrorist nuk është i mundur.

“Me Kodin Penal nuk parashkruhen krimet e luftës, gjenocidi, krimi kundër njerëzimit dhe vrasjet e rënda. Me aktakuzë këta persona akuzohen për kryerjen e akteve terroriste dhe rrezikimin e tërësisë territoriale që do të thotë se nuk është e mbuluar me ligj, nuk mund të bëhet gjykimi në mungesë”, u shpreh ai per Tch.

Hasani shton se gjykimi i tyre mundësohet vetëm me ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.

“E vetmja mundësi të bëhet gjykimi në mungesë është të bëhet amandamentimi ose ndryshohet plotësohet ajo dispozitë ligjore dhe në mënyrë eksplicite të thuhet se të gjitha veprat kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës mund të mbahet gjykimi në mungesë për faktin se ne i kemi këto problematika në veri”, shtoi avokati.

Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, duke përfshirë edhe ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiqin për sulmin terrorist të Banjskës.

Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale të rënda kundër rendit kushtetues, terrorizmit, financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave.

Nga 45 personat e akuzuar, vetëm tre prej tyre janë të arrestuar nga autoritetet e Kosovës. Gjykimi ndaj Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq ka nisur pasi procedura penale ndaj tyre u nda nga pjesa tjetër e grupit që janë në arrati.

Më 24 shtator të vitit 2023 policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zvecanit nga një grup terrorist, aty mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Related Articles