Mappie Veldt-Folia, gjykatësja në çështjen ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i cili po akuzohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte, i ka thënë dëshmitarit numër dhjetë të përgjigjet konkretisht në pyetjet e prokurorisë, e jo të jap përgjigje të tjera.
Veldt-Folia e ka pyetur dëshmitarin nëse ka ndonjë problem me përkthimin, ngase sipas saj, dëshmitari i cili është deklaruar si pjesëtar i UÇK-së, nuk po përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar për ambientet dhe organizimin e një burgu të improvizuar të UÇK-së.
“Po ta bëj këtë pyetje sepse ndonjëherë, në përgjigje në pyetjet që po ju bëhen, ti jep një përgjigje të ndryshme nga pyetja që të bëhet. Kështu që, mundohu të jepni përgjigje në pyetjen që ju bëhet. Ju lutem, dëgjoni me kujdes pyetjen dhe jepni përgjigje në pyetje”, tha gjykatësja.
Të hënën ka nisur dëgjimi i dëshmisë së dëshmitarit të dhjetë kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i njohur si Komandant “Ujku”. Zyra e Prokurorisë së Specializuar, për ta intervistuar dëshmitarin, i ka kërkuar 3 orë kohë. Kjo dëshmi do të dëgjohet në tri seanca me nga 1 orë e 30 minuta kohë.
Prokurorët kanë ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje. Ata kanë pretenduar se Shala ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, që i konsideronin kolaboracionistë.
Shala, i cili akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për drejtimin e një burgu të improvizuar ku supozohet se u keqtrajtuan njerëz dhe një u vra, në nisje të gjykimit ndaj tij në Hagë, tha se të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.
Në deklaratën e tij para trupit gjykues, ish-komandanti i UÇK-së, deklaroi se kishte luftuar kundër një makinerie ushtarake të një regjimi kriminal si ai i Sllobodan Millosheviç-it, por kurrë kundër civilëve.
Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritetet belge, ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021. Gjykimi ndaj tij filloi më 21 shkurt, ndërsa prokurorët e specializuar dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse.
Ai ngarkohet për krimet që u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, e cila pretendohet se ishte nën kontrollin e UÇK-së.