Gjykimi për sivjet në rastin e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Salih Mustafa ka përfunduar me dëgjimin e dëshmitarit të dhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ai ka dëshmuar nën masa mbrojtëse të sigurisë dhe pjesa më e madhe seancës është zhvilluar në dëgjim privat.
Në janar të vitit 2022 pritet të dëgjohen edhe tre dëshmitarë të tjerë të kësaj zyre,.
Pas dëgjimit të tre dëshmitarëve të fundit, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk planifikon të paraqes dëshmitarë apo prova të tjera materiale, ka bërë të ditur kështu ndihmës prokurorja Silvia D’Ascoli.
“Kemi dëshmitarin W04485 që është parashikuar për javën e 17 janarit, dëshmitarin 4484 planifikuar për javën e katërt të janarit dhe pastaj dëshmitarin e fundit 4849 planifikuar javën e 31 janarit deri 4 shkurt që do të jetë edhe dëshmitari i fundit pas së cilëve ZPS nuk pret të ketë më dëshmitarë shtesë, po ashtu nuk presim të kemi prova materiale provuese për tu zbuluar për dëshmitarit të fundit. Prandaj do të jemi në gjendje të dorëzojmë njoftimin zyrtar në përputhje me rregullën 129 ose po atë ditë që është e premte 4 shkurt, ose maksimumi të hënën pas të premtes”.
Çështja e ZPS-së në këtë rast gjyqësor pritet të përfundojë më 7 shkurt 2022.
Seanca e radhës ndaj Salih Mustafës do të mbahet më 18 janar të vitit të ardhshëm ku do të dëgjohet dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së i cili mban kodin W04458.
Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre dhjetë dëshmitarë të ZPS-së, të cilët të gjithë ishin të mbrojtur./Gazeta Enigma/