Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka njoftuar të martën se njëmbëdhjetë gjyqtarë kosovarë do të jenë të angazhuar në garat evropiane të përfaqësueseve gjatë verës, duke u vlerësuar si pjesë e rëndësishme e ngjarjeve ndërkombëtare.
“Gjyqtarët do të jenë pjesë e rëndësishme për garat ndërkombëtare. Nga Kosova kanë marrë 11 delegime ku do të ndajnë drejtësinë. Gjyqtarët nga Kosova janë të nominuar nga FIBA, duke vazhduar traditën për të gjykuar në ngjarje të rëndësishme të basketbollit evropian”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Por, në vendin tonë, situata është ndryshe. Ka një muaj që gjyqtarët vendorë nuk janë përfshirë në ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit – ato të gjysmëfinales dhe finales së plejofit. Këto sfida po gjykohen vetëm nga gjyqtarë të huaj.
Interesimi për fazën e plejofit, e veçanërisht për finalen, është jashtëzakonisht i madh, me ndeshje që shpesh shndërrohen në spektakël. Por, pjesë e këtij spektakli nuk janë arbitrat kosovarë. Në gjysmëfinale dhe tash në finale, drejtësinë po e ndajnë gjyqtarë nga vende të ndryshme evropiane.
FBK ka angazhuar arbitra me përvojë të madhe ndërkombëtare, të cilët janë të vlerësuar lart jo vetëm në vendet e tyre, por edhe në skenën evropiane. Vendimet e tyre po respektohen dukshëm më shumë si nga lojtarët dhe trajnerët, ashtu edhe nga shikuesit, në krahasim me rastet kur drejtësinë e ndanin gjyqtarët vendorë.
Gjyqtarët kosovarë kanë shprehur pakënaqësi për përjashtimin nga ndeshjet e plejofit. Ata kishin pritur të përfshiheshin në gjysmëfinale dhe në finale, mirëpo Federata vendosi për angazhimin e gjyqtarëve të huaj.
Fillimisht ishte propozuar një kombinim mes vendorëve dhe të huajve, por pasi kjo nuk u pranua nga gjyqtarët kosovarë, FBK vendosi që të gjitha ndeshjet t’i gjykonin vetëm të huajt.
“Bordi miratoi angazhimin e tre gjyqtarëve të huaj për secilën ndeshje të fazës gjysmëfinale dhe finale të plejofit, me qëllim të garantimit të integritetit dhe cilësisë së garës”, thuhet në vendimin e FBK-së, i cili kërkoi ndryshim të përkohshëm të propozicioneve të garave për ta bërë të mundur këtë hap.
Në propozicionet paraprake shkruhej: “Të gjitha ndeshjet e edicionit garues, deri në ndeshjen e fundit finale të plejofit dhe ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, do të gjykohen vetëm nga gjyqtarët vendorë nga lista e aprovuar nga Bordi i FBK-së”. Ky nen u ndryshua përkohësisht me vendim të bordit.
Arbitrat kosovarë kanë vlerësuar se e kanë kryer punën me përkushtim gjatë gjithë sezonit, duke pranuar se ka pasur gabime, por duke insistuar se “ekipi më i mirë ka fituar gjithnjë me meritë”. Megjithatë, Federata kishte kërkuar bashkëpunim mes gjyqtarëve vendorë dhe të huaj, një propozim që nuk u finalizua.