Pas largimit të Lorik Boshnjakut, Prishtina ka vendosur për kapitenin e ri të skuadrës për edicionin e ri.
Shiritin e kapitenit do ta bartë mbrojtësi Gledi Mici, ka njoftuar klubi nga kryeqyteti i Kosovës.
31-vjeçari është futbollist me karakter të fortë dhe ka përvojë të madhe në lojën më të popullarizuar në botë. Ai është pjesë e Prishtinës nga vera e vitit 2020 teksa me ekipin “bardhekaltër” e ka fituar një titull të kampionit.
Mici, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me ekipe si Kamza, Flamurtari i Vlorës, Kukësi, Skënderbeu dhe Shkëndija e Tetovës është shprehur për faqen zyrtare të klubit se ndjehet i nderuar dhe i privilegjuar pas emërimit si kapiten i skuadrës.
“Të jesh kapiten i Prishtinës është përgjegjësi e madhe pasi që Prishtina është emër me shumë peshë. Do të mundohem që me punë dhe profesionalizëm ta justifikoj këtë detyrë. Tifozëve iu premtojmë që do të jemi ekip ndryshe në këtë vit. Të gjithë lojtarëve na takon ta japim energjinë e fundit në fushë dhe ta rikthejmë Prishtinën aty ku i takon”, tha Mici.