Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se këtë të diele në Prishtinë është shkatërruar një laborator i drogës të llojit kokainë në Prishtinë, raporton Gazeta “Enigma”.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se laboratori i shkatërruar sot është i 19-të me radhë që tri vite qeverisje.
Sveçla njoftoi se përpos shkatërrimit të laboratorëve të drogave, gjatë tri viteve 40 grupe kriminale që janë marrë me këtë veprimtari janë shkatërruar e janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë sasi të llojeve të ndryshme të drogave.
“Këtij fenomeni i kemi shpallur luftë që nga marrja e mandatit dhe kemi qenë të pakompromis në këtë drejtim. Laboratori i sotëm është i 19-ti i shkatërruar në tri vitet e fundit, 40 grupe kriminale që janë marrur me këtë veprimtari janë shkatërruar e janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë sasi të llojeve të ndryshme të drogave”, ka shkruar ministri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se luftimi i personave që kryejnë vepra penale nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit.
“Kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit. Ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë. Të gjithë kriminelëve, të të gjitha ngjyrave, iu them që nuk ka hapësirë për veprimtarinë e tyre kriminale në Kosovë. Prapa hekurave është vendi për ta”, shkroi Sveçla. /Gazeta Enigma/