Ekspertët kërkojnë që kompanitë zvicerane të fokusohen më shumë tek aftësitë dhe eksperienca sesa tek mosha, sidomos në një kohë kur shumë sektorë po përballen me mungesë punonjësish.
Gratë mbi moshën 50-vjeçare vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi serioze në tregun zviceran të punës, pavarësisht përvojës së tyre profesionale dhe mungesës së fuqisë punëtore në shumë sektorë.
Sipas një analize të publikuar në mediat zvicerane, shumë kompani vazhdojnë t’i konsiderojnë gratë e kësaj grupmoshe si më pak fleksibile, më pak të përshtatshme për teknologjitë e reja ose më të kushtueshme për t’u punësuar, transmeton albinfo.ch.
Ekspertët paralajmërojnë se ky perceptim bie ndesh me realitetin demografik të Zvicrës, ku popullsia po plaket dhe ekonomia ka gjithnjë e më shumë nevojë për punonjës me përvojë.
Sipas studimeve të tregut të punës, gratë mbi 50 vjeç shpesh hasin më shumë vështirësi për të gjetur punë të re pas humbjes së vendit të punës, krahasuar me burrat e së njëjtës moshë. Në shumë raste, ato përballen edhe me paga më të ulëta dhe më pak mundësi avancimi.
Organizatat për barazi gjinore theksojnë se kjo kategori sjell shumë avantazhe në kompani:
përvojë profesionale
stabilitet
aftësi komunikimi dhe menaxhimi
si dhe besnikëri më të madhe ndaj punëdhënësit.
Megjithatë, stereotipet për moshën vazhdojnë të ndikojnë negativisht në proceset e rekrutimit.
Ekspertët kërkojnë që kompanitë zvicerane të fokusohen më shumë tek aftësitë dhe eksperienca sesa tek mosha, sidomos në një kohë kur shumë sektorë po përballen me mungesë punonjësish.
