Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar në rrjetin social X, duke shpërndarë një postim që hedh akuza ndaj Gjykatës Speciale në Hagë dhe kryeprokurorit Jack Smith në lidhje me arrestimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Bëhet fjalë për postimin e gazetarit Fitim Çeku, i cili pretendon se Gjykata Speciale kishte kontaktuar dëshmitarë që ndodheshin në listën e të kërkuarve të Interpolit për krime lufte në Kosovë, me qëllimin e vetëm që të siguronte arrestimin e Thaçit.
Sipas këtij raportimi, Jack Smith e ka përdorur këtë situatë për të minuar administratën e atëhershme të Donald Trump, duke penguar arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kjo, sipas tij, ka ndikuar në rritjen e tensioneve në Ballkan.
Grenell, i cili ka qenë një nga mbështetësit e Thaçit dhe kritik i ashpër i Gjykatës Speciale, e shpërndau këtë postim, duke treguar se vazhdon të jetë i interesuar për çështjen e ish-presidentit të Kosovës në Hagë.