Grenell i reagon Kos-it pas vendimit në Hagë: Gjykatave radikale duhet t’u hiqet financimi

Grenell i reagon Kos-it pas vendimit në Hagë: Gjykatave radikale duhet t’u hiqet financimi

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ndaj deklaratës së komisionares së BE-së për zgjerim, Marta Kos, lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për Hashim Thaçin.

Kos i ka cilësuar Dhomat e Specializuara si një organ të pavarur dhe të paanshëm gjyqësor.

Por, Grenell ka kundërshtuar këtë qëndrim.

Ai ka kritikuar kohëzgjatjen e procesit ndaj Thaçit, duke thënë se ish-presidenti është mbajtur në burg për gjashtë vjet për një ngjarje që, sipas tij, ka ndodhur 25 vjet më parë.

“Kjo është e turpshme”, ka shkruar Grenell.

Ai ka kritikuar edhe institucionet evropiane dhe mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor.

“Evropa duhet të reformojë institucionet e saj – dhe politikat. Kjo nuk është drejtësi, është aktivizëm nga elitat. Është një tjetër njollë në Evropë”, ka deklaruar ai.

Grenell ka kërkuar gjithashtu që gjykatave që ai i cilëson si “radikale” t’u ndërpritet financimi.

“Këtyre gjykatave radikale duhet t’u hiqet menjëherë financimi”, ka shkruar ai në “X”.

Ndërkohë, Kos kishte deklaruar më herët se vendimet e Speciales duhet të respektohen dhe se personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë.

“Kemi të bëjmë me përgjegjësi individuale dhe drejtësi për viktimat dhe familjet nga të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëj thirrje aktorëve në rajon të ndihmojnë në shërimin e plagëve nga e kaluara. Vetëm përmes pajtimit vendet në rajon mund të tejkalojnë dallimet dhe të shkojnë përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, kishte shkruar Kos.

Related Articles