Richard Grenell, ish-këshilltari special i ish-presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka thënë se as ai dhe as presidenti Trump nuk kanë marrë pjesë në ndonjë takim ku është shqyrtuar ideja e shkëmbimit të territoreve apo ndarjes së Kosovës.
Madje siç ka thënë Grenell, gjatë një takimi me studentët serbë në Beograd, shkruajnë mediat serbe, kjo ide nuk mbështetet as nga evropianët.
Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se ka dy probleme – duke pretenduar se bëhet fjalë për faktin që procesin e udhëheqin evropianët dhe Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Administrata aktuale amerikane është e vendosur se ky është një proces i udhëhequr nga evropianët, por rezulton se ata nuk zgjidhin asgjë”, citohet të ketë thënë Grenell.
“Për çdo takim që shkoni në Bruksel, duhet bërë pyetja – çfarë e bën më të mirë jetën e njerëzve të zakonshëm”, ka thënë më tej ai.
Çfarë bën përshtypje tjetër në deklaratat e tij të fundit, është fakti se ndër tjerash, Grenell ka vlerësuar se KFOR-i duhet të largohet nga Kosova.
“Ne nuk duhet të kemi njësi të KFOR-it në terren, as ushtarë amerikanë nën flamurin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dekada pas konfliktit, sepse kjo krijon imazhin e një rajoni konflikti”, beson Grenell.
Në një ligjëratë para studentëve në Fakultetin e Shkencave Politike, Grenell tha se “nën siglën e shtypit të lirë shkruhen shumë gjëra, madje edhe të pavërteta dhe shpifje, e njëra prej tyre është se ai paguhet nga autoritetet serbe”.