Një grua amerikane e bllokuar në Afganistanin e kontrolluar tashmë nga talebanët është e shqetësuar se mund të mos i shohë më fëmijët e saj.
Ajo bashkë me anëtarë të familjes dhe aleatë afganë e kanë pasur të pamundur që të arrijnë në aeroportin e Kabulit për t’u larguar nga vendi.
“Unë me të vërtetë nuk kam më shpresë për shkuar në aeroport,” tha gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik për arsye sigurie, raporton Fox News.
“Thjesht nuk është e mundur të kalosh nëpër të gjithë ata njerëz.”
Ajo tha se mes saj dhe aeroportit janë të vendosura deri në 20 postblloqe. Sipas asaj që tregoi për mediat, ndërsa tentonte të largohej u fshikullua nga luftëtarët talebanë. Një burrë që qëndronte pranë saj u qëllua në kokë ndërsa përpiqej të largohej dhe që prej atëherë ajo është fshehur.
“Ne jemi të shkatërruar. Jemi të frikësuar për jetën. Çdo moment që kalon një makinë, ndjej se ata do të na tërheqin dhe do të na ekzekutojnë. Nuk e di nëse do të shoh përsëri fëmijët e mi.”
Ajo tha se situata është e tmerrshme dhe se preferon më shumë të kryejë vetëvrasje sesa të bjerë në duart e talebanëve. Po ashtu, shtetasja amerikane kishte edhe një thirrje për presidentin amerikan Joe Biden. Mes lotësh ajo u shpreh: “Ju lutem, zoti President, ju lutemi na evakuoni. Ne kemi nevojë për ndihmë.”
Që nga e shtuna në mbrëmje, gruaja ndodhet e fshehur me tezen e saj, një ish -anëtare e parlamentit afgan, xhaxhain e saj, si dhe një numër të pazbuluar kontraktuesish dhe fëmijë.