Ndërmarrjet publike po shkatërrohen – Qeveria po sistemon amatorë e jo profesionistë në borde

Ndërmarrjet publike po shkatërrohen – Qeveria po sistemon amatorë e jo profesionistë në borde

Emërimi dhe shkarkimi i bordeve nga qeveria në ndërmarrjet publike po shihet si një sjellje amatore dhe kopje e qeverisjeve të kaluara.



Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, po e cilëson shkatërrim të ndërmarrjeve publike nga vet Qeveria shkarkimin e bordeve.

“Pushteti në Kosovë është marrë me zgjedhje dhe jo me revolucion. Probleme ka pasur edhe në qeverisjet e mëparshme andaj nuk duhet lavdëruar që kanë qeverisur mirë edhe me ndërmarrjet publike dhe me pronat publike, por sigurt që nuk kanë qeverisur mirë, madje mund të themi që e kanë shkatërruar, pa cilësi në shërbime”, tha Shatri.

Ai potencon se ndryshimi i bordeve dhe sjellja e personave amatorë, do të sjellë probleme te cilësia e shërbimeve dhe vendi do të merret vetëm me ndërrime të personave pa ndonjë rezultat.

“Ndryshimi i bordeve dhe kuadrove vetëm se nuk i takon kësaj partie apo ta sjellim dikë tjetër, duke sjell amatorë. Nuk i njoh ata njerëz dhe nuk kam asgjë personale me ta por që nga shërbimet si me ujin, valën janë probleme që mund të përmenden nga rasti që mua më prek si qytetar. Nuk ka ndryshime pozitive por vetëm njerëzit po ndërrojnë”, raporton EO.

Telekomi por edhe shumë ndërmarrje tjera, Shatri thotë se janë duke  operuar me humbje dhe pa ndonjë realizim, që do mund t’i garantonte përmasim të cilësive.

“Telekomi është duke operuara me humbje dhe bilancin e ka me një minus shumë të madh, duke shtuar këtu dhe problemet dhe obligimet që i ka, janë dobët duke punuar dhe nuk kanë ndonjë realizim apo sukses që i garanton se kanë me përmirësuar cilësinë  e shërbimeve. Pothuajse asnjë shërbim nuk është si duhet dhe asnjë nga këto ndërmarrje”, përfundoi Shatri.

E njohësi i çështjeve ekonomike Erton Bega tha se ka qenë e ditur që me ndërrimin e qeverisjeve, do të ndërrojnë edhe anëtarët e bordeve dhe emërimet e reja do të jenë në baza partiake e pa profesionalizëm.

“Me ndërrimin e qeverisjeve dihet që ajo do shtrijë funksionin e saj edhe në ndërmarrjet publike, është me rëndësi që të udhëhiqen nga profesionistë të fushave përkatëse e cila do të siguronte një performancë më pozitive të këtyre ndërmarrjeve të cilat në vazhdimësi kanë hasur në probleme të shumta në menaxhim e cila kryesisht i është faturuar qeverive për shkak të emërimeve që i ka bërë në bazë nepotike dhe politike duke dërguar njerëz të besueshëm por pa profesionalizëm”, tha Bega.

“Është pritur një ndryshim që do bëhet me Qeverinë e re, mirëpo nga ajo që shihet metoda e emërimeve vazhdon të mbetet ajo që kemi parë në 20 vitet e fundit ku njerëzit e afërt të partive politike përfshijnë lidhjet e tyre të gjakut”.

Rëndësinë e bordeve dhe ndërmarrjeve publike, Bega e sheh si një proces mjaft të rëndësishëm, për të punuar me persona të pakualifikuar duke mos premtuar një performancë të drejtë.

“Sigurisht që bordet kanë ndikimin e vet, sepse ato janë për këtë punë për t’i dhënë udhëheqje politikave të ndërmarrjeve publike, ato nuk janë vende ku duhet të dërgohen persona pa kualifikime sepse janë po këto borde që përfaqësojnë menaxhmentin e kompanisë i cili pastaj përgjigjet në adresim të çështjeve të ndryshme, por me këto emërime nuk premtojnë perfomancë të mirëfilltë”, përfundoi Bega. Me vendime të Qeverisë numër i madh i Bordeve të ndërmarrje publike janë shkarkuar dhe janë emëruar borde të reja.

Related Articles