Dajaku i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën parlamentare të enjten ka bërë xhiro në mediat më të mëdha botërore. “Shpërthen dajaku në Kuvendin e Kosovës”, është titulli kryesor në raportimet e tyre.
“Shpërthen rrahja në Parlamentin e Kosovës, pasi u hodh ujë në drejtim të kryeministrit”, është titulli i mediumit prestigjioz “The Guardian”.
Aty përshkruhet se në momentin e nisjes së dajakut, ishte kryeministri Albin Kurti që po fliste për masat e Qeverisë për shtensionim të situatës në veri.
Mediumi tjetër britanik “Skynews” e ka cilësuar “masive” dhunën në Kuvendin e Kosovës.
Agjencia e lajmeve AFP ka shkruar se Kuvendi i Kosovës “nuk është i panjohur për përballje të tilla”.
Aty është kujtuar se kur Kurti ka qenë në opozitë, ka hedhur gaz lotsjellës në seanca, duke detyruar ligjvënësit të bartnin maska.
“Associated Press” ka shkruar se opozita është e nervozuar me vendimin e Kurtit për reduktim të forcave policore në veri, duke e cilësuar si “eksperiment” të tij në veri e prishje të pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Për rastin kanë shkruar edhe mediume të tjera të njohura, si “Aljazeera” e “DailySabah”.