Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka dhënë dëshminë e tij sot në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Gjatë deklarimit të tij para trupit gjykues në Hagë, Gucati ka thënë se po të rridhte ndonjë dokument nga zyra e tij, brenda 24 sekondave do thërriste mediat, e do të jepte dorëheqje nga pozita e tij.
Ai tha se dëshira e tij më e madhe është që të zbulohet se si kanë rrjedhur ato dokumente nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe kush e bëri këtë “kurth” për të, Nasim Haradinajn dhe UÇK-në.
“Të jem i sinqertë, dëshira ime më e madhe personale është që të zbulohet ky rast nga prokurorët e nderuar se kush i qiti këto dokumentet nga zyra e tyre, mund të jetë njeriu i tyre që nuk dëshirojnë ta qesin, por dëshira ime më e madhe është që zbulojnë njeriun që më qiti kurth mu me atë dokumentacion, e llogariti kurth për mu, për UÇK, Nasimin, etj”, ka thënë Gucati.
Gucati ka vë në dyshim sigurinë e kësaj gjykate, duke e akuzuar për mungesë të plotë të sigurisë.
“Po të isha unë, vetëm një letër po të dilte nga OVL-UÇK, brenda 24 sekondave do thirrja mediat dhe jepja dorëheqje nëse dokument del nga zyra ime. Kjo do të jetë në ndërgjegjen e tyre, por këtë do ta bëja për hir të moralit dhe etikes së punës. Kjo gjykatë është e ndjeshme, ka ardhur këtu në Holandë për shkak të sigurisë dhe del se s’ka siguri fare”, ka thënë ai.
Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së tha se besimin në këtë gjykatë e ka humbur, pasi që e njëjta nuk është marrë me rastin “Panda”.
“Pse kjo gjykatë se heton rastin ‘Panda’, 6 qytetarë serbë janë vra nga çetnikët edhe ata janë qytetarë të Kosovës dhe këtu mu më ka hup besimi dhe është arsyeja pse jam kundër kësaj gjykate”, ka thënë Gucati. / Gazeta Enigma.