Dhomat e Specializuara përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se sot është liruar Isni Kilaj, megjithatë lirimi i tij është bërë me kushte të rrepta të sigurisë.
Kushti i parë është dhënia e një garancie financiare apo droëzani prej 30 mijë eurosh në administratën e Gjykatës Speciale, të mos largohet nga territori i Kosovës dhe të dorëzojë dokumentet e tij të udhëtimit. Gjithashtu Kilaj duhet të paraqitet në polici të Kosovës, të japë adresën e tij se ku do të jetojë përgjatë procesit gjyqësor dhe të shmang çfarëdo kontakti me mediat.
Nëse Kilaj do të thyej ndonjë nga kushtet, do të jepet urdhër për arrestimin e tij.
Kushtet e lirimit të Kilajt nga paraburgimi:
Ndonëse është liruar, z. Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DHSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm, ndër të tjera, që ai:
• duhet t’i japë Administratores një garanci financiare (dorëzani) në shumën 30.000 euro si kusht paraprak për lirimin e tij;
• nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës, përveçse me leje të një paneli kompetent të DHSK-së dhe t’i dorëzojë Administratores pasaportën dhe çfarëdo dokumenti tjetër udhëtimi të tij;
• duhet të japë adresën në të cilën do të banojë gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe të paraqitet çdo javë në policinë e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Administratorja;
• nuk duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike në media dhe/ose mediat sociale lidhur me DHSK-në, ZPS-në dhe ose proceset e DHSK-së, përfshirë deklarata që përmbajnë kërcënime, dhunë ose frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të hetimit penal;
• duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DHSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës. Gjykatësi i Vetëm theksoi se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e z. Kilaj.