Hajrizi optimist se Kosova do ta fitojë grupin

Hajrizi optimist se Kosova do ta fitojë grupin

Drilon Hajrizi ka shkëlqyer të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Por, kanë shkëlqyer edhe basketbollistët e tjerë të Kosovës. Dhe përfaqësuesja shënoi fitoren më të madhe deri më tani.

Kosova e mposhti Zvicrën me rezultat 76:49 në nismë të raundit të tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.

Basketbollisti mitrovicas, Hajrizi, vlerëson se fitorja e thellë është rezultat i punës shumë të mirë të bërë në stërvitje. Hajrizi ndeshjen e përfundoi me 14 pikë, 12 kërcime, dy asistime e një top të rrëmbyer. 32-vjeçari i kaloi në parket 28 minuta.

“Kemi stërvitur shumë mirë. Jemi të përgatitur si duhet. Ekipi është bashkuar, atmosfera është shumë e mirë. Çdo gjë është shumë mirë. Edhe trajneri është në nivel. Edhe trajneri kondicional ka bërë punë të mirë. Nëse vazhdojmë kështu atëherë jemi në rrugën e duhur për sukses. Dhe nuk ka pse mos të vazhdojmë në këtë mënyrë”, ka thënë Hajrizi të enjten për Kohën.

Trajneri i Pejës, Rami Hadar, debutoi në postin e selektorit të Kosovës. Dhe përfaqësuesja kishte fytyrë tjetër në krahasim me ndeshjet e kaluara. Te Kosova ka debutuar edhe fundori amerikan Dominic Artis, i natyralizuari i radhës. Ai ndeshjen e përfundoi me 19 pikë, gjashtë asistime e tre topa të rrëmbyer.

Lojë të mirë shfaqi edhe kapiteni Dardan Berisha, që kontribuoi në fitore me 20 pikë. Por, edhe lojtarët e tjerë shfaqën nivelin e pritur.

“Sukses natyrisht është kalimi në kualifikimet e rregullta. Ky është synimi i madh. Nëse e realizojmë më pas do të varet nga grupi që kemi”, ka shtuar Hajrizi.

Vetëm fituesi i grupit në raundin e tretë parakualifikues kalon në kualifikimet e rregullta për “Eurobasket 2025”. Kosova në grup e ka edhe Danimarkën.

Të shtunën është ndeshja Zvicra – Danimarka, ndërsa të mërkurën e ardhshme Kosova luan në udhëtim ndaj Danimarkës.

“Ne jemi mobilizuar, por shumë të mobilizuar janë edhe danezët. Kanë një lojtar në nivel të lartë dhe disa qendra të mira. Është mirë që ndeshja e ardhshme është të shtunën. Do të kemi mundësi të analizojmë ndeshjen e Danimarkës. Më pas do të punojmë për të ndalur anët e forta të danezëve”, ka shtuar Hajrizi.

Më 29 korrik Kosova luan në udhëtim ndaj Zvicrës e më 5 gusht e pret Danimarkën në ndeshjen e fundit.

“Loja jonë ka ndryshuar tërësisht. Mund të them se ky është një prej grumbullimeve më të mira të Kosovës deri më tani. Ka seriozitet, angazhim. Çdo gjë është në nivel. Vetëm të vazhdojmë kështu”, ka shtuar Hajrizi, që është gjatë te Kosova. Ai ka vazhduar kontratën me Trepçën, tek e cila skuadër në edicionin e kaluar shfaqi nivel të lartë. E udhëhoqi në finale të plejofit, ndërsa e fitoi Kupën e Kosovës.

“Do të vazhdojmë të punojmë shumë, ndërsa synimin e kemi të qartë. Tani duhet ta konfirmojmë fitoren ndaj Zvicrës, që assesi nuk është kundërshtare e dobët. Ka pasur disa rezultate të mëdha në vitet e fundit”, ka theksuar Drilon Hajrizi.

Ka shumë vjet që Kosova nuk ka arritur ndonjë sukses.

Related Articles