Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar sot kandidaturën e ministrit aktual në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i degës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia, i cili tha se vendimi është marrë unanimisht nga strukturat e partisë në kryeqytet.
“Hajrulla Çeku do të jetë kandidati ynë për Prishtinën. Kjo u vendos unanimisht nga qendra e VV-së në kryeqytet”, deklaroi Vitia.
Kandidatura e Çekut ka marrë mbështetjen edhe nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili e cilësoi atë si “njeri të kulturës dhe patriotizmit”.
Vetëvendosje synon të rikthehet në krye të Prishtinës, pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2021, kur kandidati i saj, Arben Vitia, u mposht në balotazh nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në garën për të parin e Prishtinës pritet të jenë edhe Përparim Rama (LDK), Uran Ismaili (PDK), Bekë Berisha (AAK), si dhe Besa Shahini (PSD).
Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 12 tetor.