Haki Abazi-Gërvallës: Nuk më ftove në Konferencën e Ambasadorëve

Haki Abazi-Gërvallës: Nuk më ftove në Konferencën e Ambasadorëve

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, në mbledhjen e sotme ku po raporton ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka hedhur disa akuza ndaj saj.

Fillimisht ai u ankua që s’e ka ftuar atë si kryetari komisioni në Konferencën e Ambasadorëve dhe për këtë tha se arsyeja mund të jetë edhe personale për shkak të “përplasjes së ideve”.

“Desha të dal pak edhe te konferenca e ambasadorëve. Unë jam plotësisht i pakënaqur edhe me formulimin tuaj sot se kemi qenë të mirëseardhur. Sigurisht që jemi të mirëseardhur se s’janë prona private institucionet. Komisioni ka për detyrë ta kryejë obligimin e vet kushtetues. Por, unë nuk jam ftuar në kapacitetin e kryetarit, nuk kemi qenë pjesë e paneleve diskutuese, s’është ndarë agjenda paraprakisht me neve, përgatitja ka qenë e mangët për me marrë pjesë në një vend të rëndësishëm, në takimin me ambasadorët. Me keqardhje ju them që edhe pritjet ceremoniale kemi pasë njerëz që realisht edhe ne nga pozita e shumicës në Parlament i kemi kritikuar në vazhdimësi për politikën e tyre të gabuar të jashtme dhe qasjen ndaj kësaj…Duhet të bëhet një reflektim, qoftë edhe nëse ka arsye personale për një qasje të tillë sa i përket bashkëdyzimit dhe përplasjes në mënyrë konstruktive të ideve”.

Por, ministrja Gërvalla, duke thënë se konferenca ka qenë e mirë, i tha Abazit se ka qenë i mirëseardhur dhe se e merr në konsideratë ankesën e tij.

“E konsideroj si një konferencë jashtëzakonisht të mirë dhe përmbajtjesore, por e marr në konsideratë mendimin tuaj dhe kur të organizojmë konferenca të tjera ndoshta do të marr vendime të tjera”.

“Keni qenë më së të mirëseardhur. E shoh se nuk ju ka pëlqyer, por ne ashtu kemi vendosur”, ishte përgjigjja e Gërvallës.

Abazi shkoi më tej duke ia përmendur edhe një bisedë, për të cilën ai pretendon se e ka zhvilluar me Gërvallën në korridor të Parlamentit.

“Sigurisht ju kujtohet biseda jonë në korridor të Parlamentit kur ju keni qenë e bindur që nuk do të ndodhë sulmi rus në Ukrainë edhe pse ka qenë bisedë krejt joformale, mendoj që ka mundur të kthehet në nivelin e diskutimit në shumë nivel më konstruktiv”.

Por, Gërvalla tha se në Komision është për komentim të bisedave publike dhe jo të atyre që thuhen në korridor.

“Sa i përket bisedave të korridoreve, por s’jam në Komision për t’i komentuar ato. Do të doja që këtu në mes të flasim për biseda publike dhe jo ato që kemi bërë korridoreve, sepse aty kemi bërë edhe biseda të tjera jo vetëm këtë që ngritët ju në pah e që mua nuk më kujtohet ”.

Po ashtu, Abazi e pati edhe një ankesë.

“Në të njëjtën kohë po e shfrytëzoj, po e keqpërdori pozitën e kryetarit të Komisionit, duke thënë që kam bërë përpjekje që të diskutoj për qasjen tonë ndaj Spanjës, që është i vetmi shtet që vazhdon të jetë më i vështiri sa i përket njohjes, nuk kemi arritur për shkak të agjendës së ngjeshur”.

Related Articles