Hamza: Ata që humbin punën, 6 muaj do të marrin 80% të pagës nga shteti

Hamza: Ata që humbin punën, 6 muaj do të marrin 80% të pagës nga shteti

Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një tubim në mesin e mbështetësve të PDK-së në Vushtrri, ka thënë se Kosova ka nevojë për një kapitull të ri stabiliteti, shprese e zhvillimi.

Duke thënë se tani është koha për bashkim, Hamza i ka ftuar qytetarët e Vushtrrisë ta votojnë PDK-në dhe numrin 130 më 28 dhjetor.

“Sot ju ftoj ta ktheni besimin në votë, punën në mbështetje dhe shpresën në fitore. Bashkë, punojmë. Bashkë, ecim. Bashkë, fitojmë. Përpara për çdo qytetar. Përpara për çdo familje që kërkon siguri dhe mirëqenie. Përpara për një Kosovë ma të fortë, ma të zhvilluar, ma dinjitoze. Me numrin 130, me PDK-në, ecim të sigurt drejt fitores. Bashkë. Përpara. Për Vushtrrinë që meriton ma shumë”, është shprehur ai.

Hamza po ashtu tha se do të krijojnë edhe një fond për ata që humbin vendin e punës.

Hamza sqaroi se përmes këtij fondi, ata që humbin punën, për gjashtë muaj do ta kenë të garantuar nga shteti 80% të pagës së fundit.

“Programi ynë ofron garanci për të punësuarit. Ne do të krijojmë fondin e papunësisë. Një fond i cili iu garanton të gjithëve atyre që për një arsye i humbin vendet e punës dhe jo të ngelin pa paga, por të kenë të garantuar pagesën nga shteti për 80 për qind të pagës së fundit për gjashtë muaj. Do të krijojmë gjykatën e punës. Një gjykatë që do t’i trajton kontratat e punës dhe do t’i mbrojë të drejtat e punës në sektorin privat dhe publik. Në fillim të mandatit do të rriten pagat 50 për qind për arsimtarë, profesorë, mësues, mjekë, policë, ushtarë dhe të gjithë ata që realizojnë paga për buxhetin e Kosovës do t’i gëzojnë pagat me rritje për 50 për qind. Përveç pagave do t’i rrisim edhe pensionet për 50 për qind”, tha ai.

Related Articles