Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një deklaratë për media tha se udhëheqja e Partisë Demokratike të Kosovës është nderi më i madh i jetës së tij, por edhe përgjegjësi që e ka marrë me seriozitet të plotë, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai tha se PDK është e përgatitur për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se kjo situatë ishte e paralajmëruar që nga qershori, pasi sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, partia që doli e para në zgjedhjet e kaluara nuk tregoi vullnet për të krijuar institucione, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Hamza foli edhe për garën në Mitrovicë, duke sqaruar se vetë nuk ka qenë kandidat, por ka përgatitur një ekip të ri që e quajti të jashtëzakonshëm.
Ai theksoi se PDK ka arritur rezultatin më të mirë ndonjëherë në këtë komunë. Megjithatë, ngriti dyshime mbi integritetin e procesit zgjedhor, duke përmendur lëvizjet e shumta të veturave natën e zgjedhjeve.
“Mendoj që ka pasur veprime të cilat e kanë cenuar dhe e kanë dëmtuar kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor. Kanë ndikuar në rezultat zgjedhor. Nëse veç ka prezencë të institucioneve dhe involvim të institucioneve në një proces zgjedhor dhe në orët e natës, apo orët e hershme të mëngjesit, pastaj numër i madh i veturave që qarkullojnë gjithë natën 01, Mitrovica është e bukur është mikpritëse, por shumë vetura bash natën e zgjedhjeve, lë shumë hapësirë për të diskutuar”, tha Hamza në “Rubikon”.
Lideri i PDK-së komentoi edhe raportet mes Ramiz Lladrovcit dhe Sami Lushtakut, duke nënvizuar se Lladrovci mbetet pjesë e PDK-së dhe se së bashku do të synojnë ta rikthejnë partinë në krye të Qeverisë. Ai premtoi maksimizim të votës sidomos në Drenas, ku pret rezultat të ngjashëm me rreth 20 mijë votat e zgjedhjeve të fundit.
Për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, Hamza u shpreh optimist për një vendim lirues, duke e cilësuar këtë të rëndësishëm për historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Nëse ata kthehen në politikë, tha ai, mbeten pjesë e PDK-së.
“Unë jam optimist që po vjen fundi i këtij procesi, që vendimi do të jetë lirues, që ata të lirohen prej kësaj barre, është tepër e rëndësishme kjo jo vetëm për historinë e Kosovës, por edhe për të tashmen e të ardhmen e Kosovës”.
“Ata nëse kthehen dhe angazhohen në politikë, ata janë në Partinë Demokratike të Kosovës, ata s’kanë ndërruar parti”, u shpreh Hamza.
Hamza sqaroi gjithashtu se Memli Krasniqi nuk do të kandidojë, pasi ka marrë përgjegjësi të gjera organizative, dhe paralajmëroi se emri i numrit dy të listës zgjedhore do të bëhet publik brenda javës së ardhshme.
Në fund, kreu i PDK-së kritikoi faktin që fituesi i zgjedhjeve të kaluara nuk arriti të formojë qeverinë, duke e quajtur këtë si një proces të planifikuar për të krijuar bllokadë. Ai theksoi se krijimi i institucioneve kërkon partneritet dhe ndarje të pushtetit, sidomos kur një parti nuk ka shumicë të vetme për të qeverisur.
“Unë mendoj se kjo është e planifikuar që të mos bëhet Qeveria, të gjitha veprimet kanë shkuar në këtë drejtim. Përndryshe është hera e parë që votohet kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës pa marrëveshje politike”, tha ai.
