“Handikos” në Gjilan ende të pezulluara shërbimet, akuzon komunën, këta të fundit LDK-në

“Handikos” në Gjilan ende të pezulluara shërbimet, akuzon komunën, këta të fundit LDK-në


Fëmijët me aftësi të kufizuara të Komunës së Gjilanit janë bërë preh e “lojërave politike” të partive në Komunën e Gjilanit, të cilat ende si kanë dhënë ‘dritën e gjelbër’ ndarjes së fondeve për shoqatën “Handikos” në këtë komunë.

Para disa muajsh Handikos – Gjilan, përmes një komunikate publike kishte njoftuar opinionin se për shkak të mungesës së buxhetit dhe mos përkrahjes financiare sipas tyre nga komuna janë detyruar që të ndalojnë shërbimet që kryehen nga kjo shoqatë.

Si rrjedhojë, rreth 40-të fëmijë kanë mbetur pa shërbimet e rehabilitimit bazuar në bashkësi.

Drejtori ekzekutiv i “Hendikos”, Fatmir Shurdhani ka deklaruar se nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket gjendjes në të cilën ishin para disa muajsh.

LEXO EDHE: Rreth 40 fëmijë në Gjilan mbesin pa shërbime nga “Handikos”, komuna fajëson opozitën

Lidhur me këtë problematik në të kaluarën komuna ka fajësuar opozitën.

Por Shurdhani the se kësaj radhe  “opozita ka votuar rishikimin e buxhetit të pjesshëm, mirëpo kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni nuk e ka pranuar atë” dhe për pasojë shoqata vazhdon ende t’i ketë të pezulluara shërbimet e saja.

Në mungesë të përkrahjes së Komunës, Shurdhani thotë se janë detyruar të kontaktojnë me UNICEF, që “së paku në fund të shtatorit të fillojnë sërish shërbimet e shoqatës, ndonëse sërish nuk do të përfshihen të gjitha moshat”.

“Këtu përfshihen vetëm fëmijët deri në moshën 6-vjeçare dhe shërbimet nuk bëhen në qendrën tonë por në shtëpi. Është një lloj pilot projekti. Nuk është i kënaqshëm as ky sepse fëmijët nga mosha 6-vjeçare deri në moshën 16-vjeçare, që janë trajtuar tek ne do të mbesin pa shërbime, shprehet drejtori i ‘Handikos’ në Gjilan.

Ndonëse, Gazeta Enigma ka tentuar të marrë një qëndrim nga Komuna e Gjilanit, këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigjje.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, që edhe qeverisë në këtë komunë, përmes një postimi në Facebook kanë thënë adresuar fajin tek partia në opozitë, LDK.

 “Nga LDK nuk po votohet as mbështetja financiare për shoqatën Handikos”, kanë thënë ndër të tjera ata.

Me probleme të tilla në të kaluarën është ballafaquar “Handikos” edhe në komunat e tjera.

Megjithatë gjendja më e mirë tani është në komunën e Ferizajt.

Për Gazetën Enigma, Enver Kosumi, drejtor i “Handikos” – Ferizaj, ka thënë se nga muaji qershor në këtë komunë janë ri-funksionalizuar shërbimet që dikur ishin ndalur.

Kjo falë një donatori që ka ndarë një shumë si dhe mbështetjes së komunës që vije pas presionit që kjo shoqatë e ka bërë.

“Tani një donatorë është duke e pagu një staf, edhe komuna na ka ofru një mbështetje për këtë vit. Nga qershori kemi nis sërish me shërbimet”, – tha Kosumi.

Handikos është “streha” kyqe që përkujdeset për personat me aftësi të kufizuara. /Gazeta Enigma


Related Articles