Një moment historik e ka cilësuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama çeljen zyrtarisht të grupit të parë të kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian.
Në një postim në Facebook, pas këtij vendimi, kreu i qeverisë shqiptare thekson se ky është kurorëzimi i përpjekjeve të mëdha në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit.
“Një moment historik kurorëzimi i përpjekjeve të mëdha të deritanishme në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit. Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për Grup-Kapitujt, “Themeloret”: Funksionimi i institucioneve demokratike -Reforma në administratën publike-Gjyqësori dhe të drejtat themelore-Drejtësia, liria dhe siguria-Kriteret ekonomike-Prokurim publik-Statistikat-Kontrolli financiar”, shkruan Rama.
Çelja e këtij grupi kapitujsh sipas Ramës, mund të sjellë edhe reagimin e atyre që ngritën akuza kundër Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin.
“Mbase përmbajtja e këtij Grupi-Kapitujsh dhe volumi i detyrave për t’u kryer, do t’ua ndriçojë fillin e arsyes edhe të gjithë atyre që ngritën akuza të paarsyeshme kundër Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin”, shkruan Rama.