Meliza Haradinaj, ish-kryediplomate e Kosovës, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe PSD janë bashkuar në sulmet ndaj ish- presidentes Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë veprim si një kalkulim politik të dy partive që ndajnë një ideologji të ngjashme dhe që kanë si qëllim krijimin e tensioneve politike në vend.
Haradinaj ka argumentuar se sulmet ndaj Presidentes Osmani nuk janë vetëm një sulm ndaj saj si individ, por një përpjekje për të dobësuar pozitat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos lidhjet e forta që ajo ka krijuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës.
“Afrimi strategjik i Vjosës me Trump dhe kodifikimi i garancive amerikane në ligj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës u prit me rezistencë nga KM Kurti, e jo me unitet. Pse? Sepse kjo aleancë e zhvendos qendrën e gravitetit nga ideologjia në siguri reale shtetërore, dhe kjo i prish llogaritë e atyre që ushqehen politikisht me konflikt të brendshëm dhe tension të jashtëm. Kur kësaj i shtohet fakti që partia simotër PSD ka përkrahur hapur idenë e shkëmbimit të territoreve, ndërsa VV sulmon pikërisht figurën që mishëron mbrojtjen e integritetit territorial, pasqyra bëhet e qartë: njëra plotëson tjetrën në qëllimin e njejtë. Është ndarje rolesh”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas Haradinajt, ky koordinim i dy grupeve politike shërben për të avancuar interesat ideologjike të tyre, duke minuar njëkohësisht interesat kombëtare të vendit.
Në reagimin e saj, Meliza Haradinaj ka përmendur edhe pjesëmarrjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në ngjarjen “koalicioni anti-Trump”, siç e quajti ajo, në Barcelonë, që, sipas saj, është një sinjal i rrezikshëm politik.
Ajo ka theksuar se ky angazhim në një shtet që nuk e ka njohur ende Kosovën është një formë rreshtimi ideologjik, që është në kundërshtim me interesat shtetërore të Kosovës.
“Pra, pyetja nuk është nëse ka koordinim Kurti – Molliqaj. Pyetja është: deri ku shkon ky koordinim? Sepse kur dy parti që relativizojnë rreziqet si shkëmbimi territorial bashkohen në goditje ndaj figurës që e mbron vijën e kuqe të shtetit, atëherë kemi të bëjmë kryekput me një skemë të rrezikshme politike. Dhe projekti është i qartë: elimino politikisht figurën që ankoron Kosovën në aleanca strategjike dhe në integritet territorial, për të hapur rrugë për narrativa që i shërbejnë pushtetit e jo shtetit. Kjo është thelbi. Të tjerat janë zhurmë”, përfundoi Haradinaj.
