Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka qëndruar në Malishevë me shumë miq e bashkëluftëtarë.
Haradinaj është shprehur se investimi më i mirë jetësor është ai për liri e për shtet.
“Investimi më i mirë jetësor është ai për liri e për shtet. Sa më i fortë që është shteti, si e arritura jonë më e madhe, aq më të fortë jemi secili prej nesh. Ashtu dhe sot, qëndrova në Malishevë, me shumë miq e bashkëluftëtarë, familjarë të të rënëve për liri, me njerëz që dhanë shumë e vazhdojnë të japin për shtetin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai tregoi se cilën familje e ka vizituar sot së pari.
“Fillimisht kam vizituar familjen e dëshmorit Daut Paqarizi në Dragobil, ku u pritëm nga i biri i tij Avdiu, familje e cila nga sot na u bashkua në rrugëtimin tonë politik në AAK. Më pas, në organizim të Nuredin Kastratit dhe Kastriot Berishës, qëndrova në shoqëri të udhëheqësve të shoqatave të dala nga lufta, deputetit Bekë Berisha, ndërmarrësve vëllezërve Blakaj, Ukë e Kastriot, e shumë bashkëluftëtarëve e familjarëve të Dëshmorëve”, ka shtuar ai.
Haradinaj gjithashtu ka ndarë edhe medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”.
“Sot kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare shqiptare, për Dëshmorin Daut Paqarizi, për Ferat Shala – Plaku, ndër luftëtarët e parë dhe më në moshë të Brigadës 121 Kumanova, invalidit të luftës, Isa (Hamez) Berisha post mortem dhe për tre martirët e familjes Kastrati, Isufin, Jahirin e Zymerin”, ka përfunduar Haradinaj.