Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kanë miratuar projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, shkruan Gazeta Enigma
Sa është i rëndësishëm ky Projektligj?
Jeton Hasani nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Gazetën Enigma se reformimi i Këshillit Prokurorial i Kosovës është i domosdoshëm për të garantuar një sistem prokurorial të pavarur, profesional dhe të paanshëm.
Sipas tij, ndryshimet ekzistuese në Projektligjin për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës janë të pamjaftueshme për të garantuar një sistem të duhur prokurorial.
“Përbërja e re e Këshillit Prokurorial – që parasheh të ketë Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare, tre prokurorë, dy anëtarë joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi dhe një anëtar joprokuror të caktuar nga Avokati i Popullit – dështon të jetë përbërje adekuate që do të garantojë se Këshilli i ardhshëm Prokurorial nuk do të qeveriset sipas interesave të ngushta të përfaqësueseve të sistemit prokurorial apo anëtarëve të zgjedhur politikisht nga Kuvendi”, tha Hasani.
Hasani ndër të tjera thotë se përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial do ta kenë shumicën, ndërkaq Kryprokurori do të jetë poashtu anëtar sipas detyrës zyrtare, kurse Këshilli do të kryesohet nga një prokuror.
“Këto aspekte fuqizojnë tej mase përfaqësuesit e sistemit prokurorial dhe do të rrezikojnë që Këshilli të dominohet përsëri nga prokurorët, ashtu siç ka qenë deri tash”, shton ai.
“Në anën tjetër, Projektligji rrezikon bllokim të tërësishëm të vendimmarrjes në Këshill, pasi që, për çështje të caktuara të rëndësishme, përfshirë edhe disiplinimin e prokurorëve, duhet patjetër të ekzistojë edhe vota e njërit nga anëtarët (e politizuar) të zgjedhur me shumicë të thjeshtë votash nga Kuvendi”.
Tutje, Hasani thekson se Këshilli i ardhshëm Prokurorial rrezikon që të jetë i dominuar nga prokurorët, ku sipas tij do mund të ndiqet qeverisja korporatiste sikur deri tash.
“Pra, në këtë mënyrë, Këshilli i ardhshëm Prokurorial rrezikon që të jetë i dominuar nga prokurorët, ku do mund të ndiqet qeverisja korporatiste sikur deri tash, ose që të jetë skajshmërisht i politizuar, përfshirë edhe me rrezikun e bllokimit të tërësishëm të vendimmarrjes”, tha Hasani, duke shtuar se komisionet përkatëse të Kuvendit do duhej që para miratimit final të adresonin këto aspekte problematike të Projektligjit.
“Komisionet përkatëse të Kuvendit do duhej që, para miratimit final në Kuvend, të adresonin këto aspekte problematike të Projektligjit dhe, në veçanti, të ndjekin rekomandimin e Komisionit të Venecias për të siguruar vendimmarrjen efikase në Këshill edhe në rastet kur nuk mund të sigurohet vota e asnjërit anëtar joprokuror të zgjedhur nga Kuvendi (paragrafi 15 i Opinionit CDL-AD(2022)006)”, tha ai.
Ndryshe, sa i përket miratimit të këtij projektligjit ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se ky Projektligj për sistemin prokurorial do të ngritë llogaridhënien dhe transparencën, veti këto që sipas tij, janë të domosdoshme por edhe të munguara brenda sistemit të drejtësisë.
“Më në fund do të arrihet balanci ndërmjet anëtarëve të përzgjedhur prokurorë dhe atyre jo prokurorë. Në këtë mënyrë, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla”, ka shkruar kreu i ekzekutivit.
Mes tjerash, Kurti ka thënë se përbërja e ardhshme e Këshillit Prokurorial ka përgjegjësi të tregojë se “nga reforma e filluar mund të kontribuojë dukshëm në fuqizimin e sundimit të ligjit, të dëshmojë partneritet e bashkëpunim ndërinstitucional në çështjet e rëndësishme për vendin, duke mos tentuar të arsyetojë mosveprimin me pavarësi të sistemit gjyqësor por të dëshmojë pavarësinë në ushtrimin e detyrave të përcaktuara me ligj”.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Abulena Haxhiu i është gëzuar këtij Projektligji, derisa edhe i ka falënderuar deputetët e Kuvendit për votim.
Duke shkruar se ky projektligj i hap rrugë reformimit të sistemit prokurorial, Haxhiu tregoi ndryshimin thelbësor.
“Ky projektligj i hap rrugën reformimit të sistemit prokurorial të Kosovës dhe i njëjti është hartuar edhe në konsultim me Komisionin e Venecias, me ç’rast ndryshimi më thelbësor është përbërja e këtij Këshilli, ku nga 13 anëtarë që kishte, e vlerësuar si koorporatizëm edhe nga Komisioni i Venecias, është reduktuar në 7 anëtarë, me përfshirje të 3 anëtarëve jo prokurorë ku 2 do të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës dhe 1 do të delegohet nga Avokati i Popullit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndryshe, në votim morën pjesë 79 deputetë, prej të cilëve 63 deputetë votuan për, ndërsa 16 ishin kundër. /Gazeta Enigma/.