Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka folur rreth krijimit të Gjykatës Speciale 10 vjet më parë, duke thënë se iu kërkua të votonte këtë gjykatë, megjithëse sipas tij, ai kundërshtoi themelimin e një gjykate që do ta gjykonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Deputeti shtoi se themelimi i Speciales u bë nga një presion i përballueshëm i ndërkombëtarëve.
Ndër të tjera ai tha se punimet në Gjykatën Speciale në Hagë, është dashur të ndalen në momentin që u konstatua që nuk ka elemente të trafikimit të organeve, çështje për të cilën edhe u formua kjo gjykatë.
Sipas Hasanit, themelimi i Gjykatës Speciale ishte i përcaktuar, dhe ai qëllim sipas deputetit, ishte dënimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të kthehesh 10 vjet prapa, është bukur shumë kohë, por ngjarjet të cilat i përjetojmë përditë, edhe në ditët e sotshme, janë aktualet, pikërisht para 10 vjetëve kur kanë filluar. Gjykata Speciale nuk ka filluar më 3 gusht 2015, por ka filluar nga 2011-ta. Atëherë nga raporti i Dick Marttit. Tani ka nga Asambleja Parlamentare. Por nga viti 2014 e merr formën e prerë, ne nuk kemi gjetur elemente të trafikimit të organeve, por ka elemente për trajtimin jo të drejtë gjatë luftës. Këtu është dashur të kuptohej drejtë çështja atëherë, dhe të mbyllet. Sepse kërkesa ka qenë për trafikim organesh, sepse gjykatat tona kanë gjykuare mjaftueshëm për krime lufte. Por me presionin ndërkombëtarë, që ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe ka qenë i papërballueshëm në kuptimin politik të kohës, dhe me premtimet që po ashtu se ne do të qëndrojmë me juve, në mbrojtje të vlerave, dhe nuk do të lejojmë keqpërdorimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankën e akuzuarve, por që do të merret me çështjen e individëve, po kjo politikë ka qenë jo e drejtë, për shkak se është kërkuar drejtpërdrejt edhe nga unë që ta jap votën, pikërisht për Gjykatën. Në bisedë të drejtpërdrejtë me Hashimin, Kadrinë, brenda grupit, kam thënë ‘jo’, s’ka mundësi ta votoj një gjykatë që gjykon luftën tonë. Askund në botë nuk ka gjykata etnike, gjykata bëhen për krime lufte, pavarësisht etnitetit, gjuhës, fesë. Por te ne ishte e përcaktuar, Gjykatë Speciale për dënimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Hasani.