Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu mori pjesë në tryezën e organizuar në Prizren, me përfaqësues të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
Haxhiu në fjalën e saj, tha se që nga marrja e mandatit është zotuar dhe ka shprehur gatishmërinë për trajtimin e rasteve të dhunës, por që të njëjtin ritëm nuk e kanë ndjekur edhe institucionet tjera të drejtësisë.
“Unë kam qenë dhe jam pranë shqetësimeve të qytetarëve; kemi bashkëpunuar me shoqëritë civile, partnerët strategjikë, organizata vendore e ndërkombëtare, që të hartojmë nismat më të mira ligjore, sa u përket trajtimit të viktimave, por edhe sa u përket trajtimit dhe ndëshkimit ndaj dhunuesve”, tha Haxhiu.
Ministrja tha se një gjendje e rënduar ekziston te komunitetet jo shumicë, që qeveria synon barazi të plotë, si gjinore, si atë ndërmjet komuniteteve, e po ashtu edhe për përafrim sa më të barabartë ekonomik.
Para të pranishmëve, Haxhiu kërkoi përfshirje aktive të komunitetit joshumicë në proceset e ndryshme që ka vendi.
“Jemi bashkërisht qytetarë të kësaj Republike të cilën e duam dhe për të cilën duam të punojmë më shumë. Është atdheu ynë ku kemi lindë dhe ku synojmë t’i rrisim fëmijët tanë. Është vendi ku duam t’i realizojmë ëndrrat për fëmijët tanë, në një ambient prosperues, që mundëson dhe garanton një jetë me dinjitet. Jam e bindur që të bashkuar do të kalojmë çdo vështirësi”, tha Haxhiu.