Haxhiu: Koncept-dokumentin për Vettingun e kemi dërguar në Komisionin e Venecias

Haxhiu: Koncept-dokumentin për Vettingun e kemi dërguar në Komisionin e Venecias

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, njoftoi se koncept-dokumentin e kanë dërguar për vlerësim në Komisionin e Venecias.

Haxhiu tha se kanë marrë përgjigje pozitive paraprake nga ky Komision se do ta trajtojnë këtë çështje.

“Koncept-dokumentin e kemi dërguar edhe në Komision e Venecias. Kemi marrë përgjigje pozitive që i njëjti koncept-dokument, me opsionet që i kemi ndjekur do të trajtohet dhe do të na vijnë përgjigje nga Komisioni i Venecias”, tha Haxhiu.

Fillimisht, ajo u tha pjesëmarrësve se procesi i Vettingut “do të mundësojë që brenda sistemit të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që kanë integritet të lartë moral”.

“Jam shpresplotë edhe për faktin se ky proces reformimi i sistemit tonë të drejtësisë po zhvillohet në konsultim me ekspertët nga partnerët strategjikë, siç janë SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian”, u shpreh Haxhiu.

Ajo njoftoi po ashtu se për këtë çështje do të takohet edhe me grupet parlamentare të partive opozitare për ta arritur një konsensus për atë që ajo e quan reformë në drejtësi. /Gazeta Enigma.

Related Articles