Haxhiu: Marrëveshja për “Albkings” është legalizim institucional i mosndëshkimit të dhunuesve

Haxhiu: Marrëveshja për “Albkings” është legalizim institucional i mosndëshkimit të dhunuesve

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh ish-ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur në rastin e grupit famëkeq “Albkings”, duke e cilësuar atë si një akt që thellon padrejtësinë ndaj viktimave të dhunës me bazë gjinore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu ka kritikuar rëndë Prokurorinë e Shtetit, duke thënë se me këtë marrëveshje, drejtësia në Kosovë ka treguar sërish “fytyrën e saj patriarkale dhe të pandjeshme”.

“Nuk është hera e parë që drejtësia në Kosovë tregon fytyrën e saj patriarkale dhe të pandjeshme ndaj krimeve me bazë gjinore por marrëveshja në rastin e grupit famëkeq ‘Albkings’, është një legalizim institucional i mosndëshkimit të dhunuesve. Prokuroria, në vend që të mbrojë viktimat dhe të dërgojë mesazhin e qartë se ngacmimi nuk tolerohet, ka zgjedhur rrugën e kompromisit me dhunuesit dhe poshtërimin e viktimave,” ka shkruar Haxhiu.

Ajo e ka cilësuar grupin “Albkings” si një mekanizëm të organizuar dhune digjitale dhe seksuale, që për vite të tëra ka shkatërruar jetën e shumë vajzave dhe grave në Kosovë.

“Me qindra imazhe të publikuara pa pëlqim, me përndjekje, kërcënime dhe shantazhe të vazhdueshme, ky grup ka lënë pas vetes trauma të thella, pasoja psikologjike, sociale dhe personale për viktimat,” shton Haxhiu.

Në fund të reagimit, ajo iu bashkua thirrjes së organizatave të shoqërisë civile për refuzimin e marrëveshjes, duke kërkuar që dënimet të shqiptohen në përputhje me ligjet në fuqi:

“I bashkohem thirrjes së organizatave të shoqërisë civile që kjo marrëveshje të refuzohet dhe të shqiptohen dënimet në përputhje me legjislacionin në fuqi.”

Related Articles