Haziri: Protesta vazhdon nëse sot nuk votohet ligji për Specialen

Haziri: Protesta vazhdon nëse sot nuk votohet ligji për Specialen

Protesta në sheshin “Skënderbeu” do të vazhdojë edhe më tej nëse sot nuk zgjidhet çështja e presidentit dhe nuk votohet ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Kështu ka deklaruar Çlirim Haziri nga platforma “Jo në emrin tim”, i cili u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta miratojnë ligjin.

Ai paralajmëroi se, nëse deputetët nuk e bëjnë një gjë të tillë, protestuesit do t’i përballin me ta edhe gjatë fushatave zgjedhore dhe në tubimet e ardhshme.

“Nëse nuk e votni këtë ligj ne do të ju ndjekim këmba këmbës, nuk do të ketë fushatë për ju, nuk do të ketë votime. Në çdo vend do të na gjeni përballë, kjo masë do të ju ndjek. Zgjedhja është e juaja ose votojeni ligjin sot e lajeni faqen tuaj ose shkoni me zgjedhje me turp”, tha Haziri.

Duke folur për zhvillimet e mbrëmshme në Prishtinë, Haziri akuzoi Qeverinë, konkretisht kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, për përdorim të forcës ndaj protestuesve dhe veteranëve të UÇK-së.

Sipas tij, përplasja ndodhi pasi protestuesit hodhën fishekzjarre, ndërsa reagimi i Policisë ishte me përdorim të forcës.

“Mbrëmë zbuloi fytyrën e vërtetë të këtij pushteti. Dje ra edhe perdja e fundit. Rinia e këtij vendi hodhi fishekzjarre në shenjë proteste, por përgjigjja që e mori nga shteti ynë ishte shkopi i hekurt i pushtetit. Me urdhër të Albin Kurtit e Xhelal Sveçlës u gjakosën sheshet e Prishtinës. U rrahën qytetarët, u goditën familjarët e dëshmorëve, por më e dhimbshmja, turpi më i rëndë që ka parë ndonjëherë faqja e dheut, u rrahën pamëshirshëm veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U gjakosën luftëtarët e lirisë”, deklaroi ai.

Haziri pyeti se pse disa protestues përfunduan për trajtim në spital dhe pse pati arrestime gjatë protestës.

Ai tha se njerëzit ishin mbledhur në shesh për të kundërshtuar heshtjen ndaj asaj që e konsiderojnë si cenim të historisë së UÇK-së.

“Dhe, për çfarë ndodhi e gjithë kjo? Pse përfunduan njerëzit tanë në emergjencë mbrëmë? Pse u arrestuan protestuesit tanë? Sepse dolën në këtë shesh dhe thanë: “UÇK, UÇK, UÇK…”. Sepse nuk pranuan të heshtin kur historia e tyre po vihej në pazar. Ata që mbrëmë u lënduan e kërkuan ndihmë në spitale, ata që u morën nga policia, kishin ardhur këtu për të njëjtin, për të njëjtën fjalë që na mban në këtë shesh tash e 21 ditë: “UÇK, UÇK, UÇK…””, tha Haziri.

Në pjesën tjetër të fjalimit, ai iu drejtua drejtpërdrejt pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Haziri u kërkoi policëve që, sipas tij, të mos zbatojnë urdhra nëse ato bien ndesh me ndërgjegjen e tyre. Ai pretendoi se pjesëtarët e Policisë kanë qenë nën presion gjatë protestës së mbrëmshme.

“Ndërsa dje, Albini e Xhelali kthyen forcat e rendit në një mjet qorr, në një shkop gome për të mbrojtur pazarin e tyre me gjakun e UÇK-së. Por sot, unë dua t’u drejtohem atyre policëve shqiptarë që dje u detyruan të ngrenë dorën mbi çlirimtarët. Ne e kemi marrë vesh se çfarë presioni po u bën kjo qeveri. Ne e dimë që shumë prej jush sot mendojnë të largohen nga ai kordon policor e të vijnë në mesin tonë, sepse ndërgjegjja juaj nuk e mban turpin e atyre që e kanë kapur shtetin”, tha ai.

Në fund, Haziri tha se bashkimi i policëve me protestuesit, sipas tij, nuk do të duhej të shihej si thyerje e urdhrit, por si veprim në mbrojtje të lirisë dhe kujtimit për dëshmorët.

“Dhe ta dini mirë, bashkimi juaj me këtë shesh, kalimi juaj në anën e popullit nuk është thyerje urdhri, por është dëshmi e atdhedashurisë. Është dita kur uniforma e Republikës së Kosovës i del zot lirisë, lirisë e gjakut të dëshmorëve”, përfundoi Haziri.

Related Articles