Hendbollistet e përfaqësueses së Kosovës të hënën i kanë filluar stërvitjet për dy ndeshjet që do t’i zhvillojnë ndaj Suedisë.
Këto ndeshjet janë të vlefshme për fazën e dytë kualifikuese për Botërorin e këtij viti.
Ndeshja e parë është të enjten prej orës 19:00 në Karlskrona, ndërsa e kthimit të dielën nga ora 17:15 në Prishtinë.
Suedia konsiderohet favorite e madhe ndaj Kosovës. Suedia ishte e para në vazon e parë.
Në dy Olimpiadat e fundit Suedia ka arritur deri në gjysmëfinale, që është sukses shumë i madh. Në gjysmëfinale arriti edhe në Botërorin e vitit 2023, ndërsa në Evropianin 2024 u rendit e pesta.
Në fazën e parë kualifikuese, Kosova shënoi fitore ndaj Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Federata e Hendbollit e Kosovës ka njoftuar se shtabi teknik dhe hendbollistet janë të vetëdijshme për nivelin e kundërshtareve. Atmosfera në përfaqësuese u raportua se është shumë pozitive. /Gazeta Enigma.