Hetimi i PK-së, FBI-së dhe SPAK-ut çon në pranga tre persona, dyshohen për administrim të tregjeve kriminale online

Hetimi i PK-së, FBI-së dhe SPAK-ut çon në pranga tre persona, dyshohen për administrim të tregjeve kriminale online

Një bashkëpunim ndërkombëtar ka çuar në arrestimin e tre personave, dy nga Kosova dhe një nga Shqipëria nën dyshimin se për vite me radhëme qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite me radhë tregun kriminal online “RYDOX”

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

“Këto dy raste (RYDOX dhe BlackDB) janë hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së (Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI). Në rastin RYDOX ka pasur bashkëpunim edhe me autoritetet e Shqipërisë (SPAK dhe Policia e Shtetit – Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike) ku është bashkërenduar operacioni policor me ç’rast edhe në Shqipëri është arrestuar një person i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të dyshuarve nga Kosova. Të dyshuarit në rastin RYDOX, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite me radhë tregun kriminal online “RYDOX”. Ky treg online ka qenë i dedikuar për keqbërës të cilëve u ka ofruar, shitur dhe trafikuar produkte dhe shërbime të kundërligjshme, përfshirë të dhëna personale të viktimave (shtetas amerikan) si: emra, adresa, numra të sigurimit social, patent shoferi, e-mail adresa dhe fjalëkalime, dhe të dhëna të llogarive bankare për qasje online.”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate tregu kriminal online ka qenë i vendosur në një server në Malajzi, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Malajzisë ky server është sekuestruar.

“I dyshuari në rastin BlackDB, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka udhëhequr për disa vite me radhë administrimin e tregut kriminal online “BlackDB”. Ky treg kriminal online ka ofruar për shitje të dhëna të llogarive dhe serverëve të komprometuar, të dhëna të kartave të kreditit, dhe të dhëna tjera personale të shtetasve amerikan. Keqbërësit kibernetik, me të dhënat që janë furnizuar nga tregu “BlackDB” i kanë përdorur për qëllime të ndryshme kriminale, përfshirë mashtrimet me taksa, mashtrime me kartela krediti, dhe vjedhje identiteti.”, thuhet tutje në komunikatë.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: ​Kriptovaluta; kompjuterë llaptop; shtëpiza kompjuteri; telefona mobil dhe pajisje memorizuese;

Po ashtu është bërë e ditur se me vendim të Prokurorit Special tre të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.

“Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor. Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së.”, thuhet në njoftim.

Related Articles