Hill shpjegoi se ka qenë e vështirë të gjendeshin njerëz në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të cilët mund të flisnin me autoritet.
“Robert Gelbard, i cili kishte mbajtur pozitën që e mora unë pas tij, ai kishte pasur takime me shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe ai kishte dëgjuar se ata ishin udhëheqës të UCK-së. Nuk ka prova që ata ishin udhëheqës të saj”, tha Hill.
Hill: Isha skeptik për takimin Rugova-Millosheviq në Beograd
Hill tha se SHBA-ja e nxiti Ibrahim Rugovën të takohej me Sllobodan Millosheviqin në Beograd më 1998.
“Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.
“Unë isha shumë skeptik”, tha Hill.
I pyetur nëse takimi mes Rugovës dhe Millosheviqit kishte ndikim në imazhin që kishte Rugova te shqiptarët e Kosovës, Hill theksoi:
“Mendoj se e dëmtoi Rugovën, sepse njerëzit në Kosovë nuk mund t’i ndihmonte. Unë kisha rezerva se takimi mund të ndihmonte. Ai ishte shumë i shqetësuar, por nuk donte që në takimin e parë me Holbrooke të gjendej në një situatë ku refuzonte”, shpjegoi Hill.
